Nëse je tipi që stolis pemën e Krishtlindjeve që në nëntor apo e mbush shtëpinë me drita shumëngjyrëshe, lajmi i mirë është që mund të jesh më i lumtur se të tjerët! Një studim sugjeron se njerëzit që zbukurojnë ambientin për festa perceptohen si më miqësorë dhe më të afërt nga të tjerët.
Cila është lidhja mes dekorit dhe lumturisë?
Sipas terapistes Amy Morin, vendosja e dekorimeve rikthen kujtime të lumtura dhe lidhje me traditat familjare. Ajo shpjegon: “Kur zbukuron shtëpinë, mendon për kohë të mira me familjen e miqtë. Madje edhe nëse disa anëtarë të familjes nuk janë më, është një mënyrë për t’u lidhur emocionalisht.”
Për shumë njerëz, Krishtlindjet janë më shumë se festa – janë një mundësi për t’u ndjerë më të lidhur me veten, me të dashurit dhe me komunitetin. Morin thotë se “altruizmi rritet në dhjetor. Të japësh dhurata apo të dhurosh diçka, na bën më të lumtur dhe kjo i shtyn njerëzit të festojnë sa më herët.”
Dekorimet festive: Magjia që lidhet me kujtimet
Një arsye tjetër pse Krishtlindjet sjellin kaq shumë gëzim është ndjenja e bashkimit që krijojnë. Për shumëkënd, dritat dhe zbukurimet janë simbol i shpresës dhe ngrohtësisë në një botë shpesh të ftohtë dhe të zymtë.
Nëse je tipi “më pak është më shumë” kur vjen puna te zbukurimet apo pret deri në dhjetor, të kuptojmë. Secili ka traditat e veta. Por për ata që nuk durojnë dot dhe i vendosin dritat që në nëntor, ndoshta po përhapin më shumë gëzim përreth – dhe si rezultat, ndihen më të lumtur.
Prandaj, nëse shpirti festiv të “pushton” para të tjerëve, mos ki turp ta nisësh dekorin festiv sa më herët – ndoshta po bën më të lumtur veten dhe ndoshta gjithë lagjen…/ S,M