Konsumatorët në disa shtete të Ballkanit, përfshirë Kroacinë, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë, kanë nisur një fushatë bojkotimi të supermarketëve si ‘protestë’ kundër rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe kostos së jetesës.
Lëvizja ka filluar në Kroaci, ku grupi i të drejtave të konsumatorëve organizoi bojkotin të premten e kaluar. Protesta ka marrë vëmendje të madhe në mediat sociale dhe është shtrirë në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, iu bashkua bojkotit dhe shprehu mbështetje për këtë veprim gjatë një interviste televizive, duke theksuar se si qytetar e mbështet këtë lëvizje. Po ashtu, në Kroaci, qeveria reagoi duke shtuar 40 artikuj të tjerë në listën e produkteve bazë me çmime të kufizuara, që përfshijnë artikuj si djathëra, kafe dhe produkte shtëpiake. Ky veprim synon të mbrojë grupet më të cënueshme të qytetarëve.
Për pasojë, në Kroaci, të premten e kaluar transaksionet në supermarketet ranë me 44%, ndërsa shitjet totale u ulën me 53%. Kjo tregon ndikimin e drejtpërdrejtë të protestës në tregun e konsumit. Fushata ka marrë mbështetje të gjerë dhe ka vazhduar të rritet në popullaritet në të gjithë rajonin./e.t