Last Updated on 02/02/2025 by adminfjala
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Tiranë. Një 37-vjeçar i identifikuar si Asim Gjoni është goditur për vdekje me thikë në zonën “Kodra e Priftit” nga babai i tij Hekuran Gjoni, 74-vjeç.
Policia ka konfirmuar arrestimin e 74-vjeçari ndërsa në njoftimin zyrtar thuhet se ngjarja ka ndodhur gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta. Hekuran Gjoni akuzohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Tiranë
Goditi me një mjet prerës djalin e tij i cili për pasojë humbi jetën, Policia ve në pranga autorin.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale mjeti prerës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit H. Gj., 74 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi mbasditen e djeshme, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës djalin e tij shtetasin A. Gj., i cili si pasojë ka humbur jetën në spital.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, në ngarkim të shtetasit H. Gj.
I moshuari në dëshminë paraprake të dhënë në polici ka thënë se e ka goditur të birin pasi ky i fundit e kishte tallur, bullizuar dhe ngacmuar. Lidhur me ngjarjen janë shoqëruar në polici disa familjarë të fisit Gjoni, të cilët kanë deklaruar se nuk ka pasur konflikt mes babait dhe djalit më parë, dhe se përplasja mes tyre ka qënë momentale. Ndërkohë mësohet gjithashtu se në momentin e konfliktit babë e bir ishin të dehur. Asim Gjoni 37-vjeç me profesion ushatarak dhe prindi i dy fëmijëve humbi jetën në spital nga plagët e marra./kb