Kryetari i grupimit Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, që sipas tij sulmoi drejtësinë.
Në një postim në Facebook, Basha akuzon Ramën se nuk u shqetësua kur qytetarët burgoseshin për fatura të papaguara apo mbrojtjen e shtëpive të tyre, por tani, i frikësuar për veten, sulmon SPAK dhe mbron korrupsionin.
Sipas Bashës, Rama po përpiqet të distancohet nga Erion Veliaj për të shmangur pasojat e aferave të përbashkëta. Ai thekson se Shqipëria meriton një qeveri që lufton korrupsionin dhe mbron qytetarët, duke përmbyllur mesazhin me thirrjen: “Shqipëria meriton drejtësi!”
Postimi i plotë i Bashës:
“Edi Rama nuk u shqetësua kur burgosi burra, gra e fëmijë vetëm se s’paguanin dot faturën e dritave apo mbronin shtëpitë e tyre, të cilat ua shembi në mënyrë të paligjshme për të ndërtuar kulla korrupsioni.
Sot, i trembur se Erion Veliaj do ta marrë pas vetes për çfarë kanë bërë bashkë me bankomatin e tyre, siç e konsiderojnë ata Bashkinë e Tiranës, bën si i përdëllyer për burgosjen e tij.
Sulmet ndaj SPAK dhe mbrojtja e korrupsionit janë prova kokëforta se Edi Rama nuk mund të qëndrojë më në pushtet. Shqipëria meriton një qeveri që lufton korrupsionin dhe mbron interesat e familjeve shqiptare”./e.t