Votat e diasporës, ato me kusht si dhe të atyre me nevoja të veçanta ende nuk kanë nisur të numërohen. Kjo po ndodh për shkak se ende nuk ka përfunduar procesi i skanimit të listës së votuesve që kanë votuar më 9 shkurt në qendrat e rregullta të votimit.
Skanimi i listës së votuesve është i domosdoshëm pasi ndihmon që të sigurohet se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht. Megjithatë votat e diasporës për ata që votuan fizikisht në ambasada dhe konsullata mund të nisë së shpejti.
“Kemi diskutuar për mundësinë që gjatë ditës së mërkurë të fillojmë me numërimin e votave të cilat janë pjesë e votimit në përfaqësitë diplomatike në të cilat është mbajtur procesi zgjedhor me datë 8 shkurt 2025, pra bëhet fjalë më shumë se 15 mijë fletëvotime”, tha Valmir Elezi, zëdhënës, KQZ.
Përpos votimit fizik, diaspora ka pasur mundësi të votojë edhe përmes postës.
KQZ ka përfunduar procesin e vlerësimit apo verifikimit të këtyre pakove me fletëvotime dhe nga 69 mijë pako, rreth 63 mijë janë aprovuar ndërsa janë refuzuar rreth 4 mijë e 900. Ky numër mund të rritet gjatë procesit të numërimit në rast se brenda zarfeve nuk ka fletëvotime.
“Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës, u mungon dëftesa e regjistrimit, janë dërguar më shumë se një here, kanë dërguar më shumë se një fletëvotim dhe arsye të tjera”, tha Valmir Elezi
zëdhënës, KQZ.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se nuk ka vonesa në numërim përkundër kritikave ndaj tyre dhe se janë brenda planifikimeve për të shpallur rezultatet përfundimtare.
“Shpallja e rezultateve përfundimtare për subjektet politike është planifikuar të bëhet më së largu deri me datë 5 mars 2025 ndërkaq certifikimi që ndodh pasi të përfundojnë ankesat eventuale dhe vendimet për to në PZAP dhe Gjykatë Supreme është planifikuar të bëhet deri me datë 18 mars”, u shpreh Elezi.
Përpos numërimit të votave të diasporës, mbesin për t’u nuëmruar edhe ato me kusht dhe me nevoja të veçantë.
Numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është mbi 12,800 të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është rreth 2,600./e.t