Last Updated on 27/02/2025 by adminfjala
5650 familje me vështirësi ekonomike në mbarë vendin do të marrin pako me ndihma ushqimore gjatë muajit të Ramazanit. Kjo u bë e mundur falë Qendrën Bamirëse dhe Humanitare “Mbreti Selman” dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën Bamirëse dhe Humanitare “Mbreti Selman” dhe me koordinimin e Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, çelën në ambientet e “Medresesë së Tiranës”, fushatën e bamirësisë në ndihmë të 5650 familjeve me vështirësi ekonomike në mbarë vendin.
Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin: Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli, Ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, z. Fajsal Gazi Hifdhi, Përfaqësuesi i Qendrës Humanitare “Mbreti Selman”, z. Fahad Albauardi, si dhe imamë e familjarë të ndryshëm.
Në fjalën e tij, nënkryetari Luli, falenderoi përfaqësuesit e qendrës “Mbreti Selman” dhe Ambasadorin e Arabisë Saudite në Tiranë, të cilët, për të 7-tin vit radhazi po bëjnë të mundur aplikimin e këtij projekti të rëndësishëm për familjet në nevojë përgjatë muajit të begatë të Ramazanit.
Ndërsa z. Fajsal Gazi Hifdhi, ambasador i Mbretërisë së Arabisë Saudite në vendin tonë theksoi gjatë fjalës së tij marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona dhe përforcimin e tyre të vazhdueshëm nëpërmjet nismave të tilla, të cilat e gjejnë burimin te udhëzimet e Mbretit të Arabisë Saudite, Selman bin Abdulaziz dhe Princit të Kurorës, Muhamed bin Selman.
“Kjo iniciativë humanitare buron nga besimi i thellë i Mbretërisë së Arabisë Saudite në rëndësinë e solidaritetit human dhe përpjekjet e saj për të ndihmuar nevojtarët dhe të varfrit, pa bërë dallime apo përjashtime, të frymëzuara këto nga parimet e fesë sonë islame të pastër dhe vlerat tona humane të përbashkëta.”
Fushata, ashtu si çdo vit tjetër, konsiston në shpërndarjen e pakove me ndihma të ndryshme ushqimore. Fillimisht pakot me nga 62 kg ushqime secila, do t’ju dorëzohen përfaqësuesve të KMSH-së në 35 myftini të vendit, më pas, këta të fundit do t’jua shpërndajnë familjeve në nevojë./E.T