Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka fituar të drejtën për të votuar përmes postës, sot në mëngjes.
Burime të Report TV konfirmuan se ish-numri dy i qeverisë ishte refuzuar dy herë nga KQZ deri dje në mbrëmje, sepse nuk kishte vërtetuar saktë adresën e banimit, dhe kishte përdorur një dokument në emër të bashkëjetueses së tij.
Mësohet se Ahmetaj ka marrë udhëzime nga ekipi i tij që punon për mbrojtjen në Shqipëri, dhe pasi bashkëjetuesja e tij ka lëshuar deklaratën me shkrim se jetojnë bashkë, atij i ka mbërritur sot në mëngjes e-mail nga KQZ se u regjistrua me sukses si votues nga Zvicra.
KQZ nuk dha detaje për rastin, duke thënë se këto detaje ndahen vetëm me zgjedhësin.
Ahmetaj është në arrati prej qershorit 2023 për inceneratorët, ndërsa prej 24 korrikut ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”/ S,M