Nën moton “Safe Stay in Albania”, strukturat e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë kanë intensifikuar masat për garantimin e sigurisë dhe përmirësimin e përvojës së kalimit kufitar për qytetarët dhe turistët.
Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, si porta kryesore ajrore e Shqipërisë, po përgatitet për një sezon veror me fluks të lartë udhëtarësh. Nën moton “Safe Stay in Albania”, strukturat e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë kanë intensifikuar masat për garantimin e sigurisë dhe përmirësimin e përvojës së kalimit kufitar për qytetarët dhe turistët.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha së bashku me përfaqësues të Policisë Kufitare dhe Drejtoren e DVKM Tiranë, Silvana Sulaj, zhvilluan një inspektim në ambientet e aeroportit, ku u njohën me organizimin dhe kapacitetet e vendosura në funksion të sezonit turistik.
“Shqipëria po përjeton një bum turistik. Vitin e kaluar u regjistruan mbi 12 milion turistë dhe gjatë gjithë sezonit veror nuk u shënua asnjë incident penal ndaj tyre. Ky është një tregues i standardeve të sigurisë që ne kemi ndërtuar dhe që po i përmirësojmë vazhdimisht,” u shpreh Hoxha.
Ai theksoi se portat automatike të kontrollit të dokumenteve (E-Gates) janë një element kyç në lehtësimin e lëvizjes dhe ofrimin e një shërbimi më të shpejtë për udhëtarët, ndërsa kontrolli i pasaportave kërkon vëmendje dhe kujdes të veçantë për të ruajtur balancën mes efikasitetit dhe sigurisë.
Nga ana e saj, Drejtoresha e DVKM Tiranë, Silvana Sulaj bëri të ditur se janë marrë masa të shtuara për përballimin e fluksit në rritje.
“Kemi shtuar me rreth 100 efektivë Policinë Kufitare në Rinas, duke përforcuar praninë në çdo pikë hyrëse dhe dalje. Janë intensifikuar kontrollet kufitare dhe vetëm në tremujorin e parë të këtij viti është shënuar një rritje prej 10% në numrin e pasagjerëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Më shumë se 50% e pasagjerëve të pranuar kanë qenë të huaj, çka tregon qartë rritjen e interesit ndërkombëtar për vendin tonë,” u shpreh Sulaj.
Përfaqësues të Policisë Kufitare deklaruan se organizimi aktual i punës është në përputhje me praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare, duke synuar identifikimin dhe parandalimin e çdo rasti të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara. Po ashtu, vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë partnere të BE-së, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkëmbimin e informacionit në kohë reale dhe përmirësimin e standardeve të sigurisë në kufi.
“Safe Stay in Albania” synon jo vetëm ruajtjen e rendit dhe sigurisë, por edhe rritjen e cilësisë së shërbimit për të gjithë ata që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë. Me vizionin ‘kufij të hapur, por të sigurt’, Policia Kufitare mbetet e angazhuar për të garantuar një sezon turistik të qetë dhe të sigurt për të gjithë udhëtarët vendas dhe të huaj./k.k