Më pak se dy muaj nga dueli emocionues që përfaqësuesja jonë e futbollit do të luajë me Serbinë, në kuadër të eliminatoreve të Kupës së Botës 2026, vjen një lajm jo i mirë për kuqezinjtë nga FIFA. Natyrisht, një goditje “poshtë brezit”, pasi me arsyetimin e ndëshkimit për sjelljen e keqe të tifozëve, FIFA po synon të zbrazë shkallët e stadiumit tonë me të paktën 4500 tifozë. Kështu, pranohet dhe nga faqja zyrtare e federatës, se Shqipëria mori një goditje nga FIFA para ndeshjes së 7 qershorit me Serbinë. Një e pesta e stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë në ndeshjen ndaj Serbisë nuk do të jetë e mbushur me tifozë apo shikues të zakonshëm. Ky dënim dhe gjoba prej 20 mijë frangash, Federatës Shqiptare të Futbollit iu dha për sjellje diskriminuese të tifozëve të Shqipërisë në ndeshjen ndaj Andorrës.
Ajo ndeshje ishte zhvilluar më 24 mars. “Komisioni Disiplinor i FIFA-s e konsideron të papranueshme sjelljen e tifozëve dhe ka vendosur një gjobë prej 20 mijë frangash zvicerane ndaj FSHF-së si dhe mbylljen e të paktën 20 për qind të stadiumit në ndeshjen e radhës së Shqipërisë në kompeticionet e FIFA-s, me prioritet në tribunat pas portave”, shkruan në një njoftim të FSHF-së të publikuar të martën. Ndeshja e ardhshme e Shqipërisë është ajo ndaj Serbisë që i takon kualifikimeve për Botëror. Pra është ndeshje e garave të FIFA-s. Një e pesta e stadiumit mund të mbushet, por jo me tifozë. “Sipas vendimit të dhënë nga FIFA, ky 20 përqindësh mund të mbushet me grupe të komunitetit ose organizata kundër diskriminimit, me miratim paraprak nga qeveria botërore e futbollit. Gjithashtu, brenda gjashtë muajve, FSHF-ja duhet të hartojë dhe të paraqesë një plan të përmirësuar kundër diskriminimit që duhet të miratohet nga FIFA”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.
Interesimi për të parë nga afër ndeshjen Shqipëri – Serbi pritet të jetë shumë i madh. FSHF-ja ende nuk ka nxjerrë në shitje biletat. Me limitimin e numrit të tyre, sigurimi i një bilete do të jetë edhe më i vështirë. “Federata u bën thirrje tifozëve që të vazhdojnë të mbështesin Kombëtaren, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe pozitive dhe i fton të tregojnë qytetari dhe respekt përmes sjelljes korrekte ndaj ekipit kundërshtar, për të shmangur çdo situatë që mund të dëmtojë ekipin kuqezi”, shkruan në njoftimin e FSHF-së. Në vendimin e FIFA-s dhe njoftimin e FSHF-së nuk bëhet e qartë se cilat thirrje apo veprime janë cilësuar “diskriminuese”. Shqipëria fitoi 3:0 ndaj Andorrës në Tiranë. Më 21 mars kishte pësuar 2:0 nga Anglia në “Wembley”. Ndeshja me Serbinë vlerësohet vendimtare për gjasat e kuqezinjve që të renditen në pozitën e dytë në grup.
Çfarë fshihet pas vendimit të FIFA-s?
Është e qartë se 10% e stadiumit të pezulluar nga FIFA janë një vendim i diskutueshëm dhe që lidhet direkt me ndeshjen me Serbinë. FIFA i trembet një përshkallëzimi të situatës, pra sjelljes së rënduar të tifozëve, për shkak të tensionit midis dy vendeve. Prandaj vendimi lë hije dyshimi, në mënyrë që ulëset që janë më pranë fushës të zihen nga “njerëz të besuar”, pas të cilëve fshihen organizatat… Domethënë, FIFA nëpërmjet këtij vendimi nuk i lë Shqipërisë në radhët e para tifozët e thekur, nga frika e ndonjë sjelljeje të papërshtatshme./e.t