Last Updated on 21/04/2025 by adminfjala
Zhaklin Lekatari ishte e ftuar në emisionin “Wake Up”, ku komentoi finalen e “Big Brother VIP Albania” dhe fitoren e Gjestit, duke e cilësuar autentikitetin e tij si elementin kyç që i dha fitoren.
E pyetur se çfarë e çoi Gjestin drejt fitores, Zhaklin u shpreh: “Antikonformizmi dhe kjo dëshira për të qenë vetvetja, për të qenë i vërtetë dhe jodomosdoshmërisht i mirë, gjë që nuk e kam parë te fituesit e tjerë, kjo është pse unë e kam pëlqyer. Vazhdimisht e ka thënë nga vjen, çfarë ka bërë, si ka qenë e kaluara e vet, sa shumë ka vuajtur, si është sajuar për të mbijetuar dhe kjo vërtetësia deri në palcë është ajo që unë kam vlerësuar. Nuk po vesh xhaketën e një çuni të mirë, unë nuk po bëj sikur jam çun i mirë, unë jam ky që jam, me të mirat dhe me të këqijat dhe po i prish skemat e parimit dhe skemat e moralit”.
Gazetarja e emisionit ngriti çështjen e krahasimeve mes Gjestit dhe Luizit. Ajo përmendi se shumë e akuzojnë Gjestin për kopjim të strategjive të Luizit, veçanërisht skenën me banorët në tualet.
“Thënë të drejtën nuk e mendoj te tualeti, mendoj që zarfi i zi ka qenë. Dhe e mendoj komplet ndryshe nga Luizi Gjestin, s’ka lidhje fare. Gjesti është e kundërta e burrit menamuz shqiptar, nuk ka lidhje fare. Del i veshur me rozë, del me kordele te koka, i heq vetullat të dashurave të veta. Luizi ka qenë manipulator dhe lëvizte brenda skenave, brenda strukturës, kornizave të Big Brother, ndërsa Gjesti vetëm i prish ato korniza, Gjesti hidhet nga muri, Luizi nuk do të hidhej nga muri asnjëherë, do të lëvizte brenda rregullave të lojës”, u përgjigj Zhaku.
Në fund, kur gazetarja përmendi dalje dramatike të Luizit me ambulancë, Zhaklin është përgjigjur:
“Po, ishte gënjeshtër. Gjesti nuk gënjen, ai thotë se unë jam ai njeri që kur nuk kisha para për të blerë cigare, i merrja cigaret nga toka dhe i pija, i vërtetë deri në palcë.”/E.S