Last Updated on 30/04/2025 by adminfjala
Mero Baze
Në Partinë Demokratike ka një gatishmëri shumë më të madhe sesa vetë Sali Berisha për të mbrojtur kontratën 6-milionë dollarëshe për pastrimin e figurës së tij, të akuzuar për korrupsion dhe minim të demokracisë në SHBA.
Dhjetëra figura të PD-së, që nga ata që mezi prisnin të hynin në lista e deri te të tjerë më të heshtur, janë gati të “thyejnë” edhe urdhrin e Berishës për të mos debatuar mbi kontratën, vetëm për të treguar se janë dakord – madje se 6 milionë dollarë janë “pak” për të pastruar figurën e tij.
Por arsyeja e këtij mobilizimi nuk është Berisha.
Nëse bëhej fjalë vetëm për të, ndoshta nuk do të kishte një përfshirje kaq të madhe.
Arsyeja e vërtetë janë fëmijët e Berishës.
Duke parë që tentativa e Berishës me 6 milionë dollarë mund të ketë sukses, shumë brenda PD-së shohin rrezikun e trashëgimisë së partisë te fëmijët e tij, që aktualisht janë po ashtu “non grata”.
Heqja e kësaj barre nga Shkëlzen dhe Argita Berisha është shumë më ndikuese për të ardhmen e PD-së, sesa heqja e “non gratës” për vetë Berishën.
Nëse u hiqet “non grata” fëmijëve, të gjithë në PD kthejnë sytë nga kryetari i ardhshëm real i partisë – që nuk do të jetë më Berisha, por financuesit aktualë të kësaj fushate të kushtueshme.
Të gjithë janë të vetëdijshëm se milionat e Shkëlzen Berishës janë ato që po hidhen për të pastruar emrin e familjes, dhe nuk bëhet fjalë për një kontratë të vetme prej 6 milionë dollarësh.
Në fakt, bëhet fjalë për të paktën tre kontrata: Kontrata për lobimin fillestar prej 6 milionë dollarësh, një kontratë tjetër ende e padeklaruar, për një avokat që do të merret me çështjet ligjore të Berishës në SHBA, për të ciln thuhet se pagesa do caktohet me një kontratë tjetër, si dhe një kontratë e tretë me Chris LaCivita-n, që ende nuk është bërë publike.
Pra, nuk bëhet fjalë për 6 milionë dollarë, por për shumë më tepër.
Për më tepër, paratë nuk janë të Berishës personalisht, por të Shkëlzenit dhe Argitës, të cilët po investojnë për të pastruar emrin e familjes që të kenë mundësi të trashëgojnë politikisht Partinë Demokratike. Ështe përulje ndaj padroneve të ardhshëm, pasi nuk e diskutojnë që ata kanë pronësinë.
Në këtë skemë, i ashtuquajturi fondacion “MAGA”, i themeluar në shtëpinë e një elektriçisti nga Tropoja, është thjesht një formalitet që në të ardhmen mund t’u hapë më shumë probleme sesa u zgjidh ndonjë gjë.
Në realitet, transferimet mes familjes Berisha dhe Nuredin Secit janë thuajse të sigurta si marrëdhënie “clearing”-u me investimet që familja Berisha ka në ndërtim në Shqipëri.