Last Updated on 14/06/2025 by adminfjala
Nga Tressie McMillan Cottom
Për ata që i kushtojnë vëmendje dhe që shqetësohen sadopak për dinjitetin njerëzor, kaosi politik dhe paqëndrueshmëria sociale e administratës Trump i ka shtyrë disa njerëz me qëllime të mira të thonë gjëra të çuditshme. Një nga më të çuditshmet lidhet me sindromën e fiksimit pas Obamës.
“O.D.S.” tingëllon e arsyeshme.
Barack Obama ishte president popullor. Kur u largua nga detyra, pëlqimi për të ishte 59%. Kjo ishte pak më ulët se kulmi i tij, 69% në 2009. Sipas të dhënave të YouGov këtë vit, ai renditet si politikani i dytë më popullor, pas Jimmy Carter-it. Më e rëndësishme se sa pëlqehet Obama, qëndron fakti që shumë njerëz ndiheshin mirë me veten e tyre kur ai ishte president. Nostalgjia mund të veprojë si drogë.
Krahas Joe Bidenit dhe Presidentit Trump, Obama duket i shëndetshëm. Fjalimi që mbajti vjet në Konventën Kombëtare Demokrate tregoi që ai “ende e ka”. Dhe momenti duket i rëndësishëm. Trump e çoi vendin drejt një territori të rrezikshëm këtë javë. Ai u përpoq të merrte nën kontroll Gardën Kombëtare të Kalifornisë dhe dërgoi një batalion marinsash për të vënë nën fre protestat e angelinosve.
Ndërkohë, një rresht tankesh pritet të parakalojë për të nderuar presidentin në paradën e ditëlindjes së Ushtrisë — një shfaqje autoritarizmi që lë shije të hidhur.
Këtë javë, shkrimtari Mark Leibovich i çoi më lart bisedat që qarkullonin në darka dhe media sociale, duke pyetur: pse ish-presidenti qëndron i heshtur? Kjo pyetje flet për një të vërtetë që pranohet gjerësisht: Partia Demokrate vuan nga mungesa e lidershipit. Senator Chris Murphy, Senator Cory Booker dhe Përfaqësuesja Alexandria Ocasio-Cortez japin sinjale që mund të dalë nga radhët e tyre lideri i ardhshëm karizmatik i partisë. Por Obama i ka të gjitha — edhe karizmën, edhe përvojën.
Një ide e tillë duket e logjikshme.
Fatkeqësisht, është çmenduri.
Nuk e di cilin Obama kujtojnë disa nga kolegët e mi, por ish-presidenti ishte mjaft i qëndrueshëm. Ai qeverisi si i moderuar, që, në kohën e Reaganit, do të ishte identifikuar si i tillë. Vetëm nga zhvendosja djathtas e Overtonit që po përjetojmë sot, presidenca e Obamës duket radikale e majtë. Si udhëheqës i Partisë Demokrate, ai qortoi të majtën, hodhi herë pas here deklarata që theksonin përgjegjësinë, si p.sh. për të rinjtë me ngjyrë që mbanin pantallona të ulëta, dhe na dha — me të meta, por vendimtare — reformën shëndetësore universale. Ai ishte një president i denjë, me peshë historike, por që mbeti, pavarësisht të gjithave, produkt i kohës që jetoi.
Burimi: New York Times: Përgatiti për botim: L.Veizi