Last Updated on 19/06/2025 by adminfjala
Temperaturat globale në rritje janë duke kërcënuar seriozisht të ardhmen e prodhimit ushqimor në botë. Një analizë e re shkencore, e publikuar në revistën Nature, parashikon se nëse bota vazhdon të ngrohet me ritmet aktuale, prodhimi i kulturave kryesore si misri, gruri dhe soja do të pësojë rënie drastike deri në fund të shekullit XXI.
Sipas një raportimi nga CNN, studimi i cili u zhvillua për tetë vjet nga një grup studiuesish ndërkombëtarë, analizoi ndikimin e klimës në gjashtë kultura thelbësore: misri, soja, gruri, orizi, kasava– burime që përbëjnë më shumë se 2/3 e kalorive që konsumon njerëzimi.
Në total, u shqyrtuan mbi 12,000 rajone në 54 vende të botës. Përveç ndikimit të temperaturave të larta, studiuesit analizuan edhe mënyrat se si fermerët po përshtaten me ndryshimet klimatike – përmes ndryshimit të varieteteve të mbjella, modifikimit të ujitjes dhe teknikave të tjera.
Rezultatet janë alarmante: çdo 1 gradë celsius shtesë në temperaturat globale mbi nivelet para-industriale do të reduktojë prodhimin ushqimor me rreth 120 kalori për person në ditë. Në një skenar të mundshëm me rritje 3 gradë celsius deri në fund të shekullit, do të ishte njësoj sikur të gjithë njerëzit në planet të heqin dorë nga një vakt i plotë.
Kulturat më të rrezikuara janë misri, gruri dhe soja, veçanërisht në rajonet që sot janë ndër më produktivet, si SHBA, Kina, Rusia dhe Kanada. Nëse emetimet fosile nuk ndalohen, prodhimi i misrit mund të bjerë me 40%, ndërsa i sojës në SHBA deri në 50%.
Ndërkohë, orizi është kultura e vetme që mund të mos pësojë dëme të mëdha, pasi përfiton nga netët më të ngrohta. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kasavën, një kulturë mbijetese në Afrikën Subsahariane, e cila pritet të preket ndjeshëm nga valët e të nxehtit.
Studiuesit theksojnë se shtetet më të pasura, si SHBA dhe vendet e Evropës, mund të preken më shumë, pasi sistemet e tyre bujqësore janë të ndërtuara mbi një klimë të qëndrueshme, ndërkohë, vendet më të varfra kanë ndërtuar tashmë teknika mbijetese përballë kushteve ekstreme.
Megjithatë, përshtatja aktuale e fermerëve nuk është e mjaftueshme. Autori i studimit, profesori Solomon Hsiang nga Universiteti i Stanfordit, e cilësoi situatën si një sfidë ekzistenciale.
“Ky është një problem madhor. Është jashtëzakonisht i kushtueshëm. Si specie, ne nuk kemi përballuar kurrë diçka të tillë”./e.t