Last Updated on 03/07/2025 by adminfjala
Tragjedia e 3 Korrikut 1988
Nga Leonard Veizi
Një gabim tragjik i identifikimit, i kombinuar me tensionin ekstrem dhe mungesën e koordinimit në një zonë konflikti, çoi në ekzekutimin e një avioni Airbus A300, në bordin e të cilës udhëtonin edhe shumë fëmijë…
…Në qiellin e përflakur të korrikut, mbi ujërat e ngrohta të Gjirit Persik, 66 fëmijë fluturonin mes ëndrrave të papërfunduara dhe lodrave të fshehura në çantat e udhëtimit. Ata ishin rrugës për te gjyshërit, për në dasma, për pushime të vogla që prindërit e kishin planifikuar me mundim. Nuk ishin ushtarë, nuk ishin kërcënim, nuk e njihnin fjalën “konflikt”. Por raketa e lëshuar nga USS Vincennes nuk i pyeti për pasaportë, moshë apo qëllim. Ajo thjesht e fshiu nga qielli një avion civil dhe me të, një të ardhme të tërë fëmijërish të mbetura në mes të asaj që mund të kishte qenë. Dhe kështu, në heshtjen që pasoi shpërthimin, mbeti vetëm një pyetje që s’gjen dot përgjigje: si mund të shpjegohet një gabim që vret ëndrrat para se ato të marrin frymë?…
Ngjarja
Më 3 korrik 1988, një nga incidentet më tragjike dhe të debatueshme në historinë moderne të aviacionit civil ndodhi mbi ujërat e Gjirit Persik. Avioni civil iranian Iran Air Fluturimi 655, që udhëtonte nga Bandar Abbas drejt Dubait, u rrëzua nga një raketë e lëshuar nga luftë-anija amerikane USS Vincennes, duke shkaktuar vdekjen e të 290 personave në bord, përfshirë 66 fëmijë dhe 16 anëtarë të ekuipazhit.
Ngjarja ndodhi në një çast jashtëzakonisht të tensionuar, në fazat e fundit të Luftës Iran-Irak – mes viteve 1980–1988. Marina amerikane, e dislokuar në rajon për të mbrojtur interesat e saj dhe anijet tregtare nga sulmet iraniane dhe irakiane, kishte ngritur një prani të fuqishme në Gjirin Persik. USS Vincennes, një anije e pajisur me sistemin e avancuar të mbrojtjes ajrore Aegis, ndodhej atë ditë pranë ujërave territoriale të Iranit dhe ishte përfshirë më herët në shkëmbime zjarri me anije patrulluese iraniane.
Sipas marinës amerikane, avioni civil iranian u identifikua gabimisht si një avion luftarak F-14 Tomcat i Forcave Ajrore Iraniane, që thuhej se po manovronte në mënyrë kërcënuese. Megjithëse avioni Iran Air 655 ishte një avion civil Airbus A300, në një fluturim të rregullt komercial, duke ndjekur korridorin ajror të miratuar ndërkombëtarisht dhe duke transmetuar sinjalin civil të identifikimit, sistemi i radarëve të Vincennes dhe ekuipazhi interpretuan sinjalet si kërcënuese.
Luftë-anija lëshoi dy raketa SM-2MR, të cilat goditën avionin dhe e rrëzuan atë në det, duke e copëtuar në ajër. Nuk pati asnjë të mbijetuar. Mes 290 të vdekurve 38 ishin shtetas jo-iranianë.
Akuzat
Ky akt shkaktoi zemërim ndërkombëtar, veçanërisht në Iran, i cili e akuzoi SHBA-në për “krim lufte” dhe agresion të qëllimshëm. Qeveria amerikane e mbrojti fillimisht veprimin si akt vetëmbrojtjeje, duke pretenduar se avionin e kishin perceptuar si kërcënim të afërt.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara e quajtën incidentin “gabim tragjik njerëzor”, duke theksuar gjendjen e stresit dhe tensionit të luftës në të cilën ndodhej ekuipazhi amerikan.
Megjithatë, një hetim i mëvonshëm zyrtar – raporti i Pentagonit – pranoi se ishin bërë një sërë gabimesh në vlerësim, komunikim dhe interpretim të të dhënave.
Pavarësisht protestave ndërkombëtare, SHBA nuk kërkoi ndjesë zyrtare për rrëzimin e avionit, por në vitin 1996, nëpërmjet një marrëveshjeje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, pranoi të paguajë duke mos pranuar fajësinë: një kompensim prej 61.8 milionë dollarësh për familjet e viktimave iraniane.
Rrëzimi i Iran Air 655 mbetet një pikë e errët në historinë e marrëdhënieve SHBA-Iran, dhe një shembull i rrezikut të ndërhyrjeve ushtarake në zona të paqarta konflikti. Incidenti theksoi gjithashtu nevojën për përmirësimin e koordinimit ndërmjet aviacionit civil dhe forcave ushtarake në kohë lufte.
Epilogu
Ngjarja mbetet një nga incidentet më të rënda në historinë moderne ku një avion civil u rrëzua nga forcat ushtarake të një shteti të madh, dhe përdoret shpesh si shembull i tragjedive që lindin nga frika, arroganca teknologjike dhe mosbesimi politik në kohë lufte.