Last Updated on 07/07/2025 by adminfjala
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka apeluar vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila rrëzoi kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Apelimi është dorëzuar këtë të hënë nga avokatët e tij. Më 26 qershor, pas një seance që zgjati rreth katër orë, GJKKO vendosi të lërë në fuqi masën e “arrestit me burg” për ish-presidentin.
Në seancë, Meta pati përplasje verbale me prokurorin Sotir Kllapi, përfaqësuesin e akuzës, ndërsa deklaroi se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë.
Meta kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë me një më të lehtë, por gjykata e rrëzoi këtë kërkesë, duke vendosur që ai të vijojë qëndrimin në paraburgim.
Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024 ndërsa mbrojtja e tij pretendon se janë shkelur afatet procedurale, duke theksuar se SPAK nuk ka dorëzuar njoftimet periodike dy mujore të parashikuara nga ligji për vazhdimin e masës së sigurisë.
Avokatët kërkojnë zëvendësimin e masës me “arrest shtëpie” ose “detyrim për paraqitje”. m.p.