Last Updated on 09/07/2025 by adminfjala
Policia e Tiranës ka arrestuar një 20-vjeçar i cili në bashkëpunim me një kolumbian trafikonin vajza të huaja, kryesisht nga Kolumbia, për t’i shfrytëzuar për prostitucion.
Procedohen penalisht 7 shtetase të huaja (6 nga Kolumbia dhe 1 nga Panamaja), pasi janë kapur në flagrancë në një apartament me qira ditore, ky dyshohet se ushtronin prostitucion.
Sekuestrohen një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 7 celularë dhe sende të tjera të kundraligjshme.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i një hetimi disamujor të kryer me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Crossline”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi K. P., 20 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. P. bashkëpunonte me një shtetas kolumbian, ende i paidentifikuar, për të trafikuar në Shqipëri, shtetase të huaja, kryesisht nga Kolumbia, për t’i shfrytëzuar për prostitucion.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 7 shtetase të huaja (6 nga Kolumbia dhe 1 nga Panamaja), të moshave 27-35 vjeçe, të cilat janë kapur në flagrancë në një apartament me qira ditore, në rrugën “Gjon Muzaka”, ky dyshohet se ushtronin prostitucionin.
Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të shtetasit të arrestuar dhe për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./E.T