“Jaws” mbush 50 vjeç – një dokumentar rrëfen historinë pas kulisave

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

nga Lucia Magi/ Los Angeles

Një regjisor i ri, një ide e çuditshme për një “balenë të madhe”, një peshkaqen mekanik që nuk funksiononte, qindra orë xhirime shtesë dhe miliona dollarë mbi buxhetin – janë vetëm disa nga elementët që përbëjnë historinë pas filmit legjendar “Jaws”.

Në dokumentarin e ri “Jaws @ 50: The Definitive Inside Story”, regjisori Laurent Bouzereau hedh dritë mbi krijimin kaotik dhe revolucionar të filmit që do të bëhej suksesi i parë i vërtetë komercial në historinë e kinemasë. Ky dokumentar, i realizuar nga National Geographic dhe i disponueshëm në Disney+ nga 11 korriku, përkon me 50-vjetorin e shfaqjes së filmit.

Përmes materialeve arkivore, intervistave të papublikuara dhe dëshmive të rralla nga pjesëmarrësit e kohës, dokumentari na rikthen në vitin 1975, kur një 27-vjeçar i panjohur me emrin Steven Spielberg, i pushtuar nga frika se nuk do të punonte më kurrë, përballej me një projekt që dukej i pamundur.

“Një aktor më tha se të gjithë mendonin se nuk do ta përfundoja filmin,” kujton Spielberg, tashmë me mjekër dhe flokë të bardhë. “Edhe pas suksesit, fshihesha për muaj të tërë në një varkë në Universal Studios, duke qarë i vetëm.”

Në dokumentar flasin regjisorë të njohur si J.J. Abrams, Jordan Peele, Guillermo del Toro, George Lucas dhe Peter Cameron, të cilët rrëfejnë se si Jaws ndryshoi përjetësisht mënyrën se si përjetohej kinemaja. “Është filmi më i frikshëm që kam parë ndonjëherë,” thotë një nga dëshmitarët e hershëm në një pamje arkivore, me syze aviatori dhe zë të emocionuar.

Para se të bëhej film, Jaws ishte roman. Autor Peter Benchley, që kishte punuar si fjalëshkrues për Presidentin Lyndon B. Johnson, filloi ta shkruante librin pas vitit 1968. Ideja për një “peshkaqen të bardhë gjigand” nuk ngjalli shumë entuziazëm fillimisht, madje as tek gruaja e tij, Wendy Benchley, e cila rrëfen: “Mendova: ‘Kjo histori nuk më duket gjë.’ Por për fat të mirë, botuesit e Doubleday u dashuruan me atë që e quanin ‘libri i peshqve’.”

Lexo edhe :  Performanca e fundit e Ozzy Osbourne, brishtësia ishte fuqia e tij e vërtetë

Edhe titulli nuk ishte i thjeshtë për t’u gjetur. “Kishim dhjetëra fletë me propozime. ‘Jaws’ nuk emocionoi askënd, por na u duk si më pak e keqja,” kujton Wendy.

Spielberg, që po përfundonte filmin Duel, e pa dorëshkrimin mbi tavolinën e producentëve Zanuck & Brown. “Mendova: ‘Nofulla? Çfarë është ky, një manual stomatologjie?’” Por pas leximit, u përfshi i tëri në projekt, duke xhiruar në det të hapur dhe duke krijuar një peshkaqen mekanik që shpesh nuk punonte – çka e detyroi të filmonte skena terrori pa e treguar aspak bishën. Dhe kjo u kthye në gjeni artistike.

“Romani flet për një peshkaqen, por më shumë për mënyrën si një komunitet përballet me një rrezik të papritur,” thotë Wendy Benchley. “Peter frymëzohej nga njerëzit që shihnim çdo verë në Nantucket. Spielberg bëri diçka të jashtëzakonshme: përdori banorët e Martha’s Vineyard. Pa fytyrat e tyre dhe jetën e tyre, publiku nuk do të shqetësohej për askënd që përpinte një bishë.”

Pas suksesit të filmit, Spielberg vuajti nga stresi post-traumatik, ndërsa familja Benchley u përball me një pasojë tjetër: urrejtjen publike ndaj peshkaqenëve. “Ishte një reagim i tmerrshëm – njerëzit ndiheshin të justifikuar t’i vrisnin,” tregon Wendy. “Prej asaj kohe, kemi punuar për të edukuar publikun. ‘Jaws’ ngjalli interes për oqeanin dhe kërkimin shkencor. Në vitin 1975, regjistrimi në biologji detare u rrit me 30%.”

Sot, 50 vjet më vonë, historia e filmit vazhdon të frymëzojë. Për Wendy Benchley, ky përvjetor përkon me konferenca të rëndësishme të OKB-së për mjedisin detar. “Besoj se vëmendja që ende tërheq ky film mund të na ndihmojë të marrim vendime të mençura dhe të qëndrueshme për të ardhmen e oqeanit.” 

Përgatiti L.Veizi

Të fundit

“11 maji nuk ishte farsë, por humbje me 300 mijë vota”

"Nuk ka farsë, por humbje me 300 mijë vota për PD’, kështu është shprehur ish- deputeti i PD Fatbardh...

Ambasadorët në Kosovë: Klasa politike po zhgënjen popullin

Ambasadorët e akredituar në Kosovë u rikthyen në Kuvend me shpresën se do të bëheshin dëshmitarë të konstituimit të Parlamentit. Por shpresa shpejt u kthye...

Alimehmeti: Ka ardhur koha për rotacion në PD

Doktori i ri nuk e ka problem moszbatimin e statutit nga ai i vjetri. Ilir Alimehmeti është i mendimit se diskutimi për largimin apo jo...

SPAK, kontrolle të befasishme për kapjen e dy personave

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka urdhëruar Policinë e Shtetit për të ndërmarrë një operacion blic për arrestimin e...

Trump: Ajo që thotë Macron për Palestinën nuk ka rëndësi

"Ajo që thotë Macron nuk ka rëndësi, nuk ka peshë". Kështu u shpreh presidenti amerikan Donald Trump, duke komentuar vendimin e presidentit francez për...

Lajme të tjera

Web TV