Last Updated on 17/07/2025 by adminfjala
rokurorët turq kanë ngritur aktakuzë ndaj gazetarit të pavarur Fatih Altayli, duke kërkuar dënim me burg prej të paktën pesë vitesh, pasi deklaratat e tij në rrjetet sociale u konsideruan fyese dhe kërcënuese ndaj Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
Altayli, i cili numëron mbi 1.5 milion abonentë në YouTube, u arrestua muajin e kaluar dhe ndodhet në paraburgim në pritje të gjyqit. Shkak për akuzat u bë një video ku ai komentonte një sondazh që tregonte se shumica e turqve nuk e donin më Erdoganin si lider të përjetshëm. Duke iu referuar historisë osmane, Altayli deklaroi se turqit “kishin vrarë” ose “mbytur” udhëheqësit kur nuk i donin më në pushtet.
Deklaratat shkaktuan reagime të ashpra, përfshirë edhe nga këshilltari i presidentit, Oktay Saral, i cili në Platformën X shkroi se “uji i Altaylit ka filluar të vlojë”.
Sipas televizionit shtetëror TRT, aktakuza e ngarkon gazetarin me akuzën për “kërcënim të presidentit”, vepër që parashikon dënim minimal prej pesë vitesh burg.
Ky rast shihet si pjesë e një fushate më të gjerë ndaj kritikëve të qeverisë, që u intensifikua pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, një prej kundërshtarëve kryesorë të Erdoganit. m.p.