Last Updated on 18/07/2025 by adminfjala
Presidenti Donald Trump është diagnostikuar me pamjaftueshmëri kronike venoze, një gjendje e zakonshme shëndetësore që prek qarkullimin e gjakut në këmbë, bëri të ditur të enjten Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke lexuar një letër nga mjeku i Donald Trump, njoftoi se presidentit amerikan iu bë një vlerësim për ënjtje në pjesën e poshtme të këmbëve.
Testet zbuluan “pamjaftueshmëri kronike venoze”, një “gjendje beninje”. Një mavijosje e lehtë në dorën e tij është “e pajtueshme me shtrëngimet e shpeshta të duarve”. Funksioni i zemrës së tij, siguroi ajo, është normal. Leavitt po reagonte në këtë mënyrë ndaj fotove që u shfaqën në media që tregonin kyçet e këmbëve të fryra të Trump dhe mavijosjet në duar.
Mjeku i presidentit, kapiten Sean Barbabella, sqaroi në një shënim se “ekografia Doppler e kryer në këmbë zbuloi pamjaftueshmëri kronike venoze, një gjendje e shpeshtë tek personat mbi 70 vjeç, që ndodh kur valvulat në venat e këmbëve nuk mbyllen siç duhet dhe lejojnë gjakun të grumbullohet”.
Megjithatë, nuk ka vend për shqetësim. “Nuk u konstatua trombozë e thellë venoze apo probleme me arteriet. Testet laboratorike dhe ekokardiograma rezultuan brenda normës, pa shenja të dëmtimit të zemrës, veshkave apo sëmundjeve sistemike”, theksoi Leavitt./kb