Last Updated on 20/07/2025 by adminfjala
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pak minuta më parë në lagjen nr. 4 të qytetit të Sarandës, në rrugën “Mitat Hoxha”. Si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur një person, identifikuar si Adil Veli, 54 vjeç, ish-efektiv policie.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një konflikti mes disa personash, teksa kanë kaluar në nxjerrjen e mjeteve prerëse, thika. Burime bëjnë me dije se një nga personat e përfshirë në konflikt ka nxjerrë armën e zjarrit pistoletë dhe ka qëlluar në ajër. Më pas, ky person ka qëlluar Adil Velin 3 herë me qytë pistolete në kokë.
I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës, ndërsa ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave. Deri më tani, nuk ka të dhëna zyrtare për autorin apo motivin e sulmit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Sot, rreth orës 19:10, në lagjen nr. 4, Sarandë, dyshohet se gjatë një konflikti është dëmtuar me një send të fortë, dyshohet me tytën e një pistolete, shtetasi A. V., 56 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, dyshohet se gjatë momentit të goditjes me tytën e armës, arma është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme në ajër, pa shkaktuar pasoja. Si provë materiale, në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë arme zjarri.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj. m.p.