Last Updated on 21/07/2025 by adminfjala
Vrasja dhe masakrimi i të pafajshmëve është e pafalshme. Atëherë, pse në botë lejohet të vazhdojë? Përgjigjja është relativizmi moral.
Simon Tisdall*
Kërkimi për paqe në konfliktet e mëdha është rrallëherë kaq i dëshpëruar dhe, në dukje, i kotë. Në Gaza, bisedimet për armëpushim, ndërprerje zjarri apo pauza zakonisht përfundojnë me lot. Në Ukrainë, lufta ka hyrë tashmë në vitin e katërt pa asnjë fund në horizont, pavarësisht afatit 50-ditor të vendosur nga Donald Trump. Siria digjet sërish. Tmerret në Sudan nuk pushojnë kurrë. Vitin e kaluar, konfliktet ndërmjet shteteve arritën një kulm – 61 në 36 shtete. Ishte shifra më e lartë e regjistruar që nga viti 1946. Ky vit mund të jetë edhe më i keq.
Shkalla dhe egërsia e krimeve të luftës dhe mizorive të tjera në zonat e konfliktit janë të jashtëzakonshme. Shënjestrimi i qëllimshëm dhe i paligjshëm i civilëve, terrorizimi i tyre, vrasja, gjymtimi dhe rrëmbimi i fëmijëve, si dhe përdorimi i urisë, dhunës seksuale, torturës dhe zhvendosjes së detyruar si armë lufte janë bërë thuajse rutinë. Vrasja nga Izraeli javën e kaluar e fëmijëve që prisnin në radhë për ujë në Gaza ishte tronditëse – edhe më tepër ngaqë skena të tilla janë bërë kaq të zakonshme.
“Lum paqebërësit,” tha Shën Mateu, por sot ndërmjetësit e paanshëm janë rralluar tmerrësisht. Sigurisht që të gjithë bien dakord: vrasja dhe masakrimi i të pafajshmëve është moralisht e papranueshme. Atëherë pse, në emër të Zotit, kjo lejohet të vazhdojë? E njëjta pyetje bërtitet me dëshpërim nga prindër të pikëlluar në Rafah, Kiev dhe Darfur, nga punonjës të OKB-së, në predikime, bare dhe parlamente, në protesta rrugore dhe në Glastonbury. Pse? PSE?
Mallkimi i relativizmit moral jep një shpjegim. E vërteta është se jo të gjithë bien dakord. Ajo që për një grup njerëzish është absolutisht e papranueshme moralisht, për një tjetër është e pranueshme apo madje e justifikueshme. Kjo ka qenë e vërtetë gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Por sot, një botë e ndarë gjeopolitikisht dhe ekonomikisht është gjithashtu e ndarë në mënyrë të paprecedentë në aspektin etik dhe moral. Standardet e përbashkëta dhe të respektuara – ajo që shkrimtari amerikan David Brooks e quan “rend moral i përhershëm” – mungojnë.
Rënia e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla pasqyron këtë krizë të rendit moral. Pa parime universale të pranuara, zgjidhja paqësore e konflikteve, qoftë të huaja apo të brendshme, bëhet shumë problematike. “Nuk kemi një standard objektiv për të përcaktuar se cili qëndrim është i drejtë dhe cili i gabuar. Kështu që debatet publike vazhdojnë pafundësisht, me nivele gjithnjë më të larta zemërimi dhe polarizimi,” argumenton Brooks. Ajo që mbetet është shtrëngimi dhe manipulimi.
Asnjë individ nuk mishëron më mirë këtë konfuzion të relativizmit moral në jetën moderne se sa Trump, mjeshtri i shtrëngimit dhe manipulimit. Ai beson, për shembull, se meriton Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2025. Megjithatë, Trump, në bashkëpunim me Izraelin, bombardoi së fundmi Iranin dhe vrau shumë civilë. Në këndvështrimin e tij moralisht të shtrembëruar, ky akt i paligjshëm agresioni ishte i justifikuar sepse, sipas tij, rivendosi paqen që vetë e kishte thyer.
Në një botë të lidhur ngushtë me luftën, çmimi i vjetër i paqes i Alfred Nobel-it duket gjithnjë e më anakronik – dhe i politizuar. Barack Obama e fitoi atë në vitin 2009 pa bërë asgjë. Sikur vetëm Trump të mos bënte asgjë për katër vitet e ardhshme. Më keq, ai është nominuar nga Benjamin Netanyahu i Izraelit – një armik i paqes dhe i moralit. Ndoshta do ishte më e përshtatshme të zëvendësohej çmimi me një trofe “Luftënxitësi i Vitit” – dhe të vihej një shpërblim mbi kokën e fituesit.
Të bësh një apel moral për paqe mund të jetë konfuze, madje kundërthënëse; pyet çdo udhëheqës kishe apo xhamie. Për shumë njerëz sot, duket se morali është bërë një fjalë e ndotur. Është i lëvizshëm, i negociueshëm dhe emocional – më tepër çështje e zgjedhjes individuale dhe përkatësisë kulturore, sesa detyrimi, përgjegjësisë apo besnikërisë ndaj një ligji më të lartë. Si mund të shpjegohet ndryshe që kaq shumë amerikanë mbyllin sytë përballë sjelljes morale të tmerrshme të Trump, të ilustruar përsëri me aferën Epstein? Identiteti social është bërë më i rëndësishëm se ndërgjegjja sociale.
Një mungesë e ngjashme morale e rëndë ekziston edhe në publikun rus kur përballen me shkatërrimin që Vladimir Putin i ka shkaktuar Ukrainës. Kundërshtarët e frikësuar shmangin temën. Të tjerë besojnë përrallat e rreme të medieve të kontrolluara nga regjimi. Shumica jeton në një gjendje injorance të thellë për krimet që kryhen në emër të tyre. Kur të përfundojë, rusët mund të pretendojnë, si gjermanët më 1945, se nuk e dinin. Amoraliteti maskohet nga gënjeshtra.
Mohimi i paqes në Palestinë nga Izraeli po ashtu ka një kosto të madhe morale. Reputacioni i tij është shkatërruar, kryeministrit i është lëshuar urdhër arresti për krime lufte. Antisemitizmi po rritet në gjithë botën si pasojë direkte. Si mund të jetojnë kaq shumë izraelitë me sjelljen e ushtrisë së tyre në Gaza, me hijen e 58,000 kufomave? Disa thonë se gjithçka do ndalej nëse do liroheshin pengjet e fundit; të tjerë besojnë se të gjithë palestinezët janë Hamas. Disa nga e djathta ekstreme, duke harruar historinë e vendit të tyre, sugjerojnë se kombi palestinez është një trillim. Ata duan që të gjithë 2 milionë banorët e Gazës të mbyllen në një kamp gjigand përqendrimi.
Shumë izraelitë e kundërshtojnë fuqishëm këtë. Ata dëshirojnë paqe. Dështimi i tyre për të detyruar ndryshimin e politikës së qeverisë është një dështim moral po aq sa politik. Po ashtu fajtorë janë amerikanët, rusët dhe të gjithë në Britani e Europë, politikanë dhe qytetarë, që nuk flasin, që kthejnë kokën tjetër, që arsyetojnë të paarsyeshmen për arsye shtetërore apo rehati personale – apo që pretendojnë se vrasja dhe kaosi, kudo që ndodhin, janë relativisht të pranueshme moralisht nëse kryhen, siç ka argumentuar Shën Thomas Aquinas, në ndjekje të një “lufte të drejtë”.
Ky dështim shumë modern – kjo tërheqje drejt një morali subjektiv dhe të ndërtuar sipas dëshirës, kjo heqje dorë nga përgjegjësia e përbashkët – është i kthyeshëm. Standardet etike universale ende vlejnë. Ato përcaktohen nga konventat e Gjenevës, nga instrumente të tjera laike të së drejtës ndërkombëtare, përmes besimit fetar dhe përmes kontratës shoqërore. Ato duhet të respektohen dhe të forcohen. Janë të nevojshme – edhe pse ndonjëherë të pakëndshme – të vërteta.
Njerëzit e zakonshëm, në kohë të zakonshme, mund të zgjedhin betejat e tyre morale. Por përfundimi i konflikteve të mëdha dhe lehtësimi i vuajtjeve të miliona njerëzve është një detyrim moral që kërkon një reagim kolektiv, të vendosur, nga të gjithë të përfshirët. Në atë rrugë qëndron paqja. Në atë rrugë qëndron shpëtimi.
*Simon Tisdall është komentator për çështjet e jashtme në gazetën The Guardian.
Përgatiti për botim: L.Veizi