Last Updated on 28/07/2025 by adminfjala
Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen ‘Revanshi’, ku të pandehur janë marrë Emiljano Shullazi, Astrit Avdyli, Leonard Duka e Gjergji Cukali.
Përmes një njoftimi, GJKKO bën të ditur se në total janë 14 të pandehur, ndër ta Enver Dida, Besian Xhixha, Robert Laçi, Drianto Bardhi, Miri Bruli, Xhelal Rraja, Viktor Imeraj, Satilno Basho, Naim Stafuka dhe Blerim Abazi.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi kishte shtrirje dhe aktivitet kriminal të organizuar dhe të ndërlidhur, me planifikime për vrasje të disa shtetasve, ndërhyrje në sistemin penitenciar dhe aktivitet të paligjshëm me armë, drogë dhe trafik ndërkufitar. Sipas hetimeve të dosjes “Revanshi”, Astrit Avdyli, Emiljano Shullazi, Blerim Abazi dhe Naim Stafuku, bashkëpunuan me të tjerë, për të vrarë Durim dhe Valter Bamin. Besian Xhixha, Enver Diva dhe Robert Laçi siguruan kushtet dhe mjetet materiale për vrasjen e Preng Gjinit në një atentat pranë Nesharakut në Tiranë.
Po ashtu bëhet e ditur se Emiljano Shullazi, dhunoi bashkëshortin e gjyqtares Saida Dollani. Astrit Avdyli ka mbajtur në banesë një pistoletë pa leje. Bashkë me Miri Brulin ata ndihmuan një person në kërkim për kalim të paligjshëm të kufijve nga Mali i Zi për në Shqipëri përmes liqenit të Shkodrës. Avdyli po ashtu, ka thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe me Emiljano Shullazi, kanë mbajtur telefona brenda në qeli dhe kanë komunikuar me persona të tjerë jashtë burgut për të porositur vrasje. m.p.