Ministri në detyrë i Kulturës së Kosovës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës është gjetur një mbishkrim i dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe gruas së tij, Teodora.
Ky zbulim pason identifikimin e mbishkrimit të parë, i cili përmendte themelimin e qytetit Iustiniana Secunda si qytet dardan. Mbishkrimi i ri tregon për ndërtimin e një bazilike episkopale dhe, sipas ministrit, përbën një nga dedikimet e rralla të Justinianit që lidhen me vendin e tij të origjinës.
“Ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë arkeologjike nuk është trajtuar më seriozisht se kaq,” shkruan Çeku, duke vënë në dukje se punimet në Ulpianë dhe Dresnik po kryhen në toka publike të shpronësuara vitin e kaluar.
Ai thekson se aktualisht po punohet intensivisht në lokalitete të rëndësishme arkeologjike, duke përgatitur plane për konservimin dhe menaxhimin e tyre, duke ngritur kapacitetet profesionale me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, si dhe duke zhvilluar studime dhe publikime shkencore. “Arkeologjia vazhdon të na zbulojë historinë tonë. Ne do të vazhdojmë me përkushtim kërkimet dhe mbrojtjen e saj,” përfundon ministri./E.T