Last Updated on 03/08/2025 by adminfjala
Populli shqiptar ngjan me vëllain e vogël të një familjeje patriarkale me shumë djem. Ai që nuk ka mbajtur kurrë përgjegjësi dhe që nuk ka marrë ndonjëherë vendime. Ai që nuk ka ngritur asnjë tullë me krahët e tij, por është rritur duke parë të mëdhenjtë që mundohen edhe për të. Ai që nuk ka mësuar as të sakrifikojë, as të planifikojë, por vetëm të presë çfarë do i lërë familja.
Vëllai i vogël nuk është mësuar të japë, por të marrë. Ai nuk e ndjen përgjegjësinë kolektive, sepse ka jetuar gjithmonë nën hijen e të mëdhenjve. Në mendjen e tij, shtëpia nuk është diçka për të cilën duhet të djersijë, por thjesht një e drejtë e lindur. Vëllai i vogël është i sigurt se vëllezërit e mëdhenj do të mendojnë edhe për të.
Ky krahasim flet shumë për ne shqiptarët. Ne jemi popull që historikisht ka jetuar nën ombrellën e perandorive dhe të fuqive të huaja. Jemi mësuar që gjithmonë dikush tjetër të vendosë për ne. Të tjerët na kanë bërë shtet, na kanë shpëtuar, na kanë sunduar, na kanë copëtuar…
Shqiptarët nuk e kërkuan çlirimin nga osmanët derisa perandoria u rrëzua vetë. Pavarësia erdhi jo nga një revolucion masiv, por si një akt diplomatik që u përkiste më shumë elitave dhe rrethanave ndërkombëtare. Në vendin tonë, madje, erdhi një princ i huaj për të qeverisur vendin. Pse? Sepse ishim një tokë dhe një popull që duhej menaxhuar nga dikush. Nuk ka rëndësi se kush, por na duhej thjesht një prijës. Pra, si një kujdestar për vëllain e vogël, një dado.
Kur gjermanët dhe italianët kaluan nëpër Shqipëri, rrallëherë hasën rezistencë. Ata u pritën më shumë si mysafirë sesa si pushtues. E njëjta logjikë e vëllait të vogël, i cili nuk e ka në karakter të kundërshtojë, por vetëm të përshtatet me ata që kanë forcën. Nëse një njeri i panjohur kalon në dhomën e pritjes së shtëpisë, ai hesht dhe thjesht pret. Mendon se vëllezërit e mëdhenj e njohin këtë të panjohur dhe… merren ata me të. Vëllai i vogël dremit dhe pret nëse ky i panjohur do të jetë edhe të nesërmen në dhomën e pritjes.
Pas tyre, ne u dorëzuam në duart e një diktatori që nuk e zgjodhëm vetë. Enver Hoxha nuk ishte produkt i ndërgjegjes popullore apo i ndonjë gare për pushtet, por i pazareve ideologjike të kohës. Ne, sërish, pritëm se çfarë do të sillnin “vëllezërit e mëdhenj”. Këtë herë, sllavët.
Pastaj erdhën rusët. Më pas, kinezët. Sa herë ndryshonte era e politikës globale, ne ndryshonim aleatë si një fëmijë që ndërron kujdestarët, por kurrë nuk e ndien se i përket vetes. Kurrë nuk patëm një politikë që lindi nga brenda nesh. Rusët dhe kinezët, me thënë të drejtën, për vëllain e vogël (popullin) ishin si halla dhe tezja, të cilat vijnë nga larg dhe sjellin llokumet. Kur nuk mjaftojnë llokumet e familjes, vëllai i vogël mirëpret të tjera.
As komunizmin nuk e rrëzuam kur ishte koha. E përjetuam atë më gjatë se kushdo tjetër në Europë. Kur ra muri i Berlinit, shqiptarët ishin ende duke u radhitur për gjalpë dhe për të lavdëruar Partinë. Madje, qanin me të madhe për vdekjen e diktatorit. Vetëm kur kontinenti u kthjellua, u kujtuam se duhet të ndryshojmë edhe ne.
Demokracia erdhi në Shqipëri si dhuratë nga Perëndimi. Vendi nuk bëri tranzicion, por thjesht një kalim të zhurmshëm ku e vjetra dhe e reja u përzien në një kaos pa frymë. Më saktë, një skuadër politike u nda në dy skuadra. Njëra u vesh me fanellën e kuqe, tjetra me fanellën blu. Ne nuk ndërtuam. Imituam. Pritëm ngjarje të cilat nuk i nxitëm, nuk i kishim në dorë dhe as që na pyeti kush për to.
Edhe sot, në mendjen e shumë shqiptarëve, gjithçka është në dorën e “të mëdhenjve”. Vota nuk vlen, sepse “ambasadat vendosin”. Politikanët nuk ndëshkohen, sepse “fuqitë e huaja kanë planet e tyre”. Ëndrra e përbashkët është e kotë, sepse “shteti nuk bëhet”.
Kjo sindromë është psikologjike. Kemi latuar idenë se dikush tjetër duhet të marrë përgjegjësinë. Mendojmë se në teatrin e historisë jemi thjesht spektatorë, jo aktorë. Se jemi të vegjël dhe se kështu duhet të qëndrojmë.
Vëllai i vogël nuk ndërton shtëpi (shtet), por trashëgon shtëpi (shtet). Nuk lufton për drejtësi. Ai thjesht qan kur i mungon. Nuk beson tek e ardhmja, por thjesht jeton me nostalgjinë e një të kaluare që nuk e ka jetuar vetë. Vëllai i vogël nuk gjen arsye që të ndryshojë. Pret atë të shkretin, llokumin.
Ky qëndrim pasiv është arsyeja pse çdo përpjekje për ndryshim në Shqipëri has në dyshimin e madh: “Po ç’kuptim ka? S’bëhet Shqipëria”. E themi këtë jo sepse kemi provuar gjithçka, por sepse nuk kemi marrë seriozisht asgjë.
Një vend nuk ndryshohet nga ndonjë vëlla i madh që do të na japë një dhomë për të fjetur. Shteti bëhet vetëm kur njerëzit dalin nga roli i fëmijës që pret dhe hyjnë në rolin e të rriturit që krijon. Kjo nuk është çështje kohe, por çështje vullneti e guximi.
Shqipëria nuk ka më kohë të presë. O bëhemi ne vëllezërit e mëdhenj të fatit tonë, o mbetemi përgjithmonë fëmijët e llastuar të një shtëpie pa pronar. Në fund të fundit, askush nuk na detyrohet gjë. As historia. As Europa. As Amerika. As Zoti. Shqipëria jemi ne dhe Shqipëria bëhet vetëm nëse bëhemi edhe ne. m.p.
