Last Updated on 22/08/2025 by adminfjala
Kam takuar njerëz të mrekullueshëm këtu, që më kanë bërë të ndihem se i përkas kësaj shoqërie – por sot janë gjithnjë e më të shumtë ata që shohin te azilkërkuesit një objektiv të lehtë politik.
Ayman Alhussein
Vështirë të kalojë një ditë pa u hedhur një tjetër fyerje në fytyrat e azilkërkuesve dhe refugjatëve. Na quajnë parazitë, përdhunues, burra “në moshë lufte” që nuk duhej të kishim lënë vendin tonë. Nganjëherë jemi thjesht “të paligjshëm” – termi më çnjerëzor nga të gjithë. Kur vallë u kthye në krim fakti që vrapon për jetën tënde?
Ata që bëjnë këto akuza dinë për mrekulli si të bëjnë zërin të dëgjohet. Balta ngjitet, dhe shumica prej nesh kemi frikë të tregojmë të vërtetën. Nuk e di sa prej akuzuesve tanë janë ulur ndonjëherë me ne, ballë për ballë, dhe kanë dëgjuar historinë tonë. Kjo është e imja.
U rrita në Siri. Fëmijëria ime ishte e sigurt e e lumtur – pothuajse idilike, kur e kujtoj sot. Por në vitin 2011, Pranvera Arabe dhe lufta civile ndryshuan gjithçka. U arrestova dy herë për pjesëmarrje në protestat kundër regjimit të Assadit, por asnjëherë nuk më shkonte ndër mend të largohesha. Si shumë të rinj, as unë nuk besoja se vdekja mund të më vinte kaq pranë.
Gjithçka ndryshoi kur, vetëm 17 vjeç, i mbijetova për pak një sulmi me raketa në një lagje të Alepos. Atëherë e kuptova se doja të jetoja. U arratisa. Fillimisht në Turqi, pastaj udhëtova përmes Europës derisa arrita në Kalais. Shpresa ime ishte të vija në Britani për dy arsye: e para, kisha teze dhe kushërinj këtu; pas vdekjes së nënës sime kur isha 14 vjeç, tezja ime u bë për mua si një nënë e dytë. E dyta, sepse flisja anglisht. Ajo që njerëzit nuk e kuptojnë është sa të lodhur jemi ne refugjatët nga çfarë kemi përjetuar. Gjithçka që doja ishte pak qetësi, pak pushim – dhe të isha me tezen time.
Qëndrova dhjetë muaj në Kalais duke u përpjekur të hyja në Britani. Ishte përpara se kalimet me varka të vogla të bëheshin mënyra kryesore për të kaluar, por kontrabandistët ishin gjithnjë aty. Ne i urrenim, sepse e bënin më të vështirë kalimin pa ndihmën e tyre. Provova çdo mënyrë: në kamionë, në trena mallrash, duke u fshehur në port për të hyrë në ndonjë traget.
Atëherë, policia franceze shpesh na sulmonte – siç bën edhe sot. Ndonjëherë tregoheshin “të sjellshëm” dhe na thoshin kur ndërroheshin rojet kufitare – momenti më i mirë për të provuar të futesh në tren apo kamion. Ndonjëherë, roje francezë apo britanikë na uronin “fat të mbarë”; disa na shihnin si njerëz, disa si kriminelë.
Kur më në fund arrita në Britani, në vitin 2017, mendova se kisha gjetur strehën e sigurt. Por përvoja me Home Office më kujtoi se nuk ishte aspak kështu. Gjithnjë ndihesha i trajtuar si kriminel. Duhej të paraqitesha rregullisht në stacion policie dhe më deshën mbi dy vjet për të marrë një vendim mbi azilin tim.
Megjithatë, përtej qeverisë, shoqëria britanike asokohe ishte më mikpritëse. Në qytetet e larmishme të Britanisë mund të ecja i qetë, pa u ndjerë i huaj. Takova njerëz të mrekullueshëm që më dhanë ndjesinë se i përkisja këtij vendi.
Gjithçka ndryshoi kur qeveria e kaluar shpalli planin e saj për Ruandën, tashmë i anuluar. Njerëzit u futën në qendra paraburgimi dhe u kërcënuan me deportim. Edhe pse atëherë unë kisha marrë leje qëndrimi, kisha frikë se një ditë qeveria do të vinte edhe për mua. Frika u shtua më tej këtë shkurt, kur politika e Home Office ndryshoi: tani, kushdo që ka hyrë “në mënyrë të parregullt” në Britani, “zakonisht do t’i refuzohet shtetësia”. Një nga makthet që më përsëritet është ai ku bërtas për ndihmë në rrugë, por askush nuk më dëgjon. Sot më duket sikur po e jetoj atë ëndërr të keqe.
Tani që kam jetuar disa vite këtu, e kuptoj më mirë politikën. Njerëzit duan dikë për të fajësuar për gjendjen e ekonomisë dhe shërbimeve publike – dhe më të lehtët për t’u fajësuar janë migrantët dhe refugjatët. Disa besojnë vërtet gënjeshtrat për ne. Unë punoj si kineast dhe gjithashtu bëj vullnetar si përkthyes arabisht në një organizatë bamirëse. Flas me shumë të rinj që Home Office i trajton si të rritur dhe i vendos në hotele për të rritur, megjithëse është krejt e dukshme nga zëri e mënyra e tyre e të folurit se janë fëmijë. Ata qajnë në telefon me mua. E urrejnë jetën në hotele, të detyruar të ndajnë dhoma me të rritur që nuk i njohin.
Shumica e refugjatëve ëndërrojnë të kthehen në vendin e tyre, nëse ndonjëherë bëhet i sigurt. Shpesh kthehem me mendje tek fëmijëria ime e sigurt, tek aroma e jaseminit e geraniumit në kopshtin tim. I kam mbjellë edhe këtu, për të rikrijuar sadopak ndjesinë e shtëpisë. Por, sado të bëj për të kontribuar, kam frikë se gjithmonë do të shihem si kriminel, si dikush që mund të dëbohet prapa, pavarësisht rrezikut.
Racizmi i hapur, i pashqyer, duket se po rritet në Britani. Fillon me refugjatët si unë dhe migrantët e tjerë – por shumë shpejt do t’u kthehet edhe të tjerëve, vetëm pse nuk janë të bardhë, apo sepse i përkasin “fesë së gabuar”, apo për shkak të orientimit seksual. Nëse nuk veprojmë tani, gjërat do të shkojnë edhe më keq.
Siç u rrëfye për Diane Taylor
Ayman Alhussein është kineast sirian, me bazë në Londër
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
