Last Updated on 22/08/2025 by adminfjala
Mariola Nakoleci, 36 vjeçe dhe nënë e katër fëmijëve, ka ndërruar jetë në zonën e Volosit në Greqi. Ajo është qëlluar disa herë me thikë nga bashkëshorti i saj, Pandeli Nakoleci, në sy të fëmijëve dhe më pas në tentativë për t’u larguar, ka marrë goditjen finale në sheshpushimin e pallatit.
Mediat greke raportojnë se vrasja brutale e 36 vjeçares ndodhi në hyrje të pallatit ku jetonte çifti shqiptar, në rrugën Konstanta të Volos. Ata mësohet se kanë pasur një debat të ashpër në apartament dhe ndërsa futeshin në shtëpi, po ziheshin edhe në hyrje të pallatit.
Më pas, siç është raportuar deri më tani, Pandeli Nakoleci e ka qëlluar disa herë me thikë bashkëshorten e tij, ndërsa në apartament ndodheshin dhe katër fëmijët e tyre.
Mariola është përpjekur të shpëtonte, ka hapur derën e apartamentit ku jetonin prej një viti dhe vrapoi drejt shkallëve.
Por 40 vjeçari e ka ndjekur deri poshtë dhe e ka shtyrë mbi një derë xhami. Këtu, nëna e katër fëmijëve ka marrë goditjen finale. Fëmijët kanë parë gjithçka dhe kanë telefonuar Policinë, ndërsa një nga vajzat ka thënë: “E pashë babin duke e therur mamin me thikë.”
Pandeli Nakoleci është arratisur dhe deri tani nuk dihet asgjë për të, ndërsa shkaqet e krimit makabër nuk dihen ende. m.p.
