Last Updated on 26/08/2025 by adminfjala
Për herë të parë si zëvendëskancelar i Gjermanisë dhe Ministër i Financave, Lars Klingbeil udhëtoi për në Ukrainë. Në Kiev, ai premtoi se Gjermania do të ndajë miliarda euro për Ukrainën edhe këtë vit dhe vitin tjetër.
Vizita nuk u njoftua për arsye sigurie. Ministri gjerman i Financave dhe zëvendëskancelari, socialemokrati Lars Klingbeil mbërriti në Kiev me tren special të hënën në mëngjes në orën gjashtë e gjysmë. Në fillim të kësaj jave, qeveria gjermane dëshiron të dërgojë një mesazh të qartë në lidhje me politikën e saj ndaj Ukrainës – se do t’u ofrojë mbështetje të plotë ukrainasve që janë nën presion nga Rusia dhe do t’u tregojë atyre se interesi gjerman dhe evropian është i madh. Megjithëse ka ende më shumë çështje të pazgjidhura sesa të zgjidhura.
Socialdemokratët kanë heshtur për një kohë të gjatë
Për Lars Klingbeil, kjo ishte një mundësi për të treguar se edhe socialdemokratët në pushtet, mbështesin kursin e politikës së jashtme të Kancelarit konservator Friedrich Merz. Konkretisht, javët e kaluara janë shënuar nga vizita dhe iniciativa nga kreu i qeverisë.
Pika kulmore ishte vizita e Merz te Presidenti i SHBA-së Donald Trump së bashku me udhëheqës të tjerë evropianë, të cilët ndoqën takimin midis Presidentit të Ukrainës Zelenski dhe Trump. Pak u dëgjua nga ministrat socialdemokratë në ato ditë.
Klingbeil: “Dinamika të jashtëzakonshme”
Pas bisedimeve me homologun e tij ukrainas Serhiy Marchenko, Klingbeil theksoi se Gjermania i qëndron kërkesave të saj: një armëpushim i qëndrueshëm, me garanci të qarta sigurie për Ukrainën përpara se të pranojë ndonjë marrëveshje me Presidentin rus Vladimir Putin.
Klingbeil ishte për herë të fundit në Ukrainë në vitin 2023. Në atë kohë, ai nuk ishte anëtar i qeverisë së atëhershme të përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe Liberalët (FDP).
Tani ai thotë: “Ishte një përparësi personale për mua të vija këtu në Ukrainë, si zëvendëskryeministër dhe ministër i Financave. Isha këtu më parë si kryetar partie dy vjet më parë, por tani po vij në një kapacitet të ri. Dhe kjo po ndodh pikërisht në një kohë kur ka dinamikë të madhe dhe diskutime të shumta në hapësirën politike, që nuk ishte planifikuar.” Dhe sigurisht, ai shtoi menjëherë se udhëtimi i tij është dakorduar me Kancelarin Merz. m.p.
