Last Updated on 26/08/2025 by adminfjala
KQZ ka finalizuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit ndërsa në faqen zyrtare është publikuar edhe lista e deputetëve. Rezultatet pritet të miratohen nga Komisioni Rregullator më datë 28 gusht.
Adriatik Lapaj “u dënua” nga Kolegji Zgjedhor duke i hequr mundësinë e mandatit në qarkun Tiranë. Ky organ vendosi që mandatin ta marrë e para e listës së mbyllur, Ana Dajko. Gjithsesi, performanca e tij në zgjedhjet e 11 majit, tashmë e miratuar zyrtarisht nga KQZ, është një sukses i madh për një parti që garon për herë të parë
“Shqipëria Bëhet” e drejtuar nga Lapaj është partia e tretë në Shqipëri, me rreth 65 mijë vota në rang kombëtar, me peshën e 6 mandateve (me një sistem tjetër). Kjo parti ka marrë vendin e tretë në 8 nga 12 qarqet e vendit.
Lapaj ka marrë rreth 9200 vota në qarkun Fier, ku “Shqipëria Bëhet” është me diferencë të madhe forca e tretë në qark. Për rreth 500 vota, kjo parti mund të merrte mandat.
Në qarkun Vlorë, kjo parti mori rreth 6000 vota, gjithashtu forcë e tretë. Përafërsisht kaq vota ka marrë edhe në qarkun Elbasan, duke u renditur forcë e tretë me diferencë të madhe nga partitë pasuese.
“Shqipëria Bëhet” ka marrë 5600 vota në qarkun Korçë, dukshëm forcë e tretë. Thuajse 5400 vota ka marrë në qarkun Berat, ku diferenca me partitë pasuese është e madhe.
Surprizë ishin edhe 4800 votat e qarkut Lezhë, ku “Shqipëria Bëhet” ka fituar betejën me PSD e Tomë Doshit, zakonisht parti me ndikim në këtë qark. Performanca në qarkun Durrës ishte gjithashtu e mirë, me thuajse 4700 vota.
Në qarkun Shkodër, kjo parti ka marrë 2100 vota, në qarkun Gjirokastër 1500 vota, në qarkun Dibër 1000 vota dhe në qarkun Kukës 350 vota. m.p.
