Last Updated on 30/08/2025 by adminfjala
David Renton
Kur protestat kundër azilkërkuesve gëzojnë kaq shumë mbështetje nga qendra politike, mesazhi ynë duhet të jetë më i mençur dhe më i përshtatur.
Më herët këtë muaj, ndihmova në organizimin e një proteste për të mbrojtur refugjatët e strehuar në hotelin Thistle City Barbican në Londër. Mobilizuam 800 vetë për të mbështetur azilkërkuesit, të cilët na përshëndetën nga dritaret e hotelit si shenjë mirënjohjeje. Nga ana tjetër e rrugës, rreth 250 vetë ishin mbledhur për të kërkuar mbylljen e hotelit. Folësit në atë anë i quanin refugjatët “të paligjshëm”, “pushtues” dhe “parazitë”.
Duke parë dhe dëgjuar ç’thoshin kundërshtarët tanë, aktivistët anti-racistë nisën një thirrje spontane: “Plehrat nazistë, larg rrugëve tona!”, një brohoritje që e mbajtëm për më shumë se një orë. E kuptoj pse njerëzit deshën të shprehin përbuzjen e tyre për ata që përhapin gënjeshtra për refugjatët, por për mua ajo thirrje nuk ishte e efektshme – dhe sa më shumë e mendoj, aq më i bindur jam se ishte strategji e gabuar.
Po, kishte fashistë të pranishëm në atë protestë – një pankartë i përkiste një grupi të vogël të së djathtës ekstreme – por ata nuk ishin organizatorët; rrinin të heshtur, në skaj të turmës. Disa protestues brohoritën në mbështetje të Tommy Robinson. Besoj se ky është ndoshta lidhja që organizata si Stand Up to Racism përdorin për të etiketuar si fashistë protestat kundër refugjatëve. (Zëdhënës të tyre kanë deklaruar se shumë prej protestave “organizohen nga fashistë të njohur dhe adhurues të Hitlerit”.)
Por Robinson, ndryshe nga fashistët e viteve ’70, nuk citon “Mein Kampf”, dhe nuk shihet si adhurues i Hitlerit, as nga mbështetësit e tij. Përkundrazi, dikur mburrej se kishte të tatuazhuar një thënie të Churchillit në krah.
Strategjia e quajtjes së kundërshtarëve tanë “fashistë” funksionon vetëm në një kontekst kur shoqëria është e gatshme t’i izolojë dhe turpërojë nazistët. Dhe nuk është ky rasti sot. Prandaj, nevojitet një mesazh më i mençur dhe më i përshtatur.
Politikanët nuk e shohin si fashizëm – dhe kjo thotë shumë
Merrni për shembull Robert Jenrick, ish-ministër i qeverisë dhe tani figurë e lartë në Partinë Konservatore. Ai mori pjesë në një protestë kundër refugjatëve në Epping. Anti-fashistët publikuan një foto të Jenrick me Eddy Butler në sfond – një ish-kandidat i Partisë Nacionale Britanike (BNP) dhe autor i fushatës famëkeqe “të drejta për të bardhët” në vitet ’90.
Çfarë ndodhi pas kësaj? Një “burim i afërt” me Jenrick deklaroi se ai nuk e njihte Butler-in. Jenrick nuk e fshiu foton nga profili i tij në X (ish-Twitter). Nuk tregoi asnjë shenjë turpi, dhe historia u shua pa lënë gjurmë.
Po të shihej vërtet si fashizëm, as Jenrick, as politikanët e tjerë konservatorë dhe të Reformës që mbështesin këto protesta, e as ministrat laburistë që kanë përkrahur mbylljen e hoteleve të refugjatëve, nuk do të ndiheshin kaq të sigurt dhe të patundur. Por pas politikanëve janë edhe më shumë njerëz nga qendra politike, të cilët ndajnë të njëjtin diskurs negativ për migracionin.
Madje, vetë Kryeministri Keir Starmer, gjatë gushtit, ka shkruar më shumë se 12 herë në X për migracionin – dhe në çdo rast, e ka paraqitur si një problem: “i paligjshëm”, i lidhur me “trafikantë njerëzish”, ose si çështje për “kontroll”.
Të quash nazist dikë që nuk e sheh veten ashtu – thjesht nuk funksionon
Që nga protesta në Barbican, lëvizja kundër refugjatëve ka ruajtur ritmin. T’i quash “nazistë” – edhe kur ka fashistë të pranishëm në periferi të protestës – nuk ka ndikuar aspak. Ata nuk e shohin veten si të tillë, nuk kanë fashistë të organizuar në radhët drejtuese, dhe për ta, ky term tingëllon si i ekzagjeruar dhe qesharak.
Dikush mund të thotë se po kërkoj shumë nga një fjalë e vetme. Por në vitet ’70, mbështetës të mëparshëm të Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë britanik shkëputeshin nga ai grup pikërisht sepse e kuptonin fashizmin e tij. Një prej tyre, cituar në East End Advertiser më 1977, tregonte se e la Frontin kur pa foto të liderit John Tyndall me uniformë naziste:
“Unë nuk i pranoj këto budallallëqe ‘Sieg Heil’,” – tha ajo.
(Sigurisht, kjo ndodhte vetëm 30 vjet pas bombardimeve gjermane në Londër – plaga ende ishte e freskët.)
Po të funksiononte e njëjta taktikë edhe sot, do të takonim njerëz që largohen nga lëvizja dhe tregojnë pse, dhe do të siguroheshim që historia e tyre të botohej kudo.
E djathta ekstreme ka ndryshuar – dhe ne duhet të ndryshojmë strategjinë
Sot kemi të bëjmë me një të djathtë të re, e cila nxjerr në pah figura femërore – diçka që nuk ndodhte as pesë vite më parë. Në Islington, një nga fjalimet e protestës u lexua në emër të një gruaje që drejtonte një çerdhe lokale.
Narrativa është gjithmonë e njëjta: se azilkërkuesit janë meshkuj të vetëm, të huaj, dhe potencialisht përdhunues. Kjo gënjeshtër e organizuar, përçon racizëm të hapur, por është e dizajnuar të tingëllojë “e arsyeshme” për publikun. Ajo i mbron ata nga akuzat për ekstremizëm.
E vetmja mënyrë për ta kundërshtuar këtë është t’ia dalim në ballë:
Të hedhim poshtë idenë se të huajt, myslimanët apo azilkërkuesit janë më të prirur ndaj dhunës seksuale sesa burrat britanikë.
E vërteta është ndryshe:
Në trazirat racore pas ngjarjeve në Southport vitin e kaluar, 40% e burrave të arrestuar për krime ishin më parë të raportuar për dhunë në familje.
Me fjalë të tjera: askush – as në Britani, as gjetkë – nuk është më i prirur për dhunë ndaj grave sesa burrat që protestojnë jashtë hoteleve duke denoncuar refugjatët.
Kjo është linja që duhet të ndjekim
Ky është argumenti që do t’i dobësojë vërtet protestat kundër refugjatëve.
Këtë duhet të përfshijmë në fletëpalosjet tona, në bisedat me njerëz, dhe në protestat tona – dhe jo vetëm fjalën “nazist”.
*David Renton është avokat dhe autor i librit The New Authoritarians: Convergence on the Right.
Përgatiti për botim: L.Veizi
