Last Updated on 11/07/2026 by Monika
Granit Xhaka është një nga vetëm tre futbollistët që kanë mbetur nga përballja mes Argjentinës dhe Zvicrës në fazën e 1/8-ave të Botërorit 2014 në Brazil. Së bashku me Ricardo Rodríguez dhe Lionel Messin, mesfushori zviceran rikthehet për një tjetër duel me kampionët e botës.
Dymbëdhjetë vite më vonë, Xhaka ka udhëhequr Zvicrën drejt një tjetër momenti historik. Para sfidës ai u shpreh se skuadra e tij nuk ka ardhur për të admiruar Messin, por për të fituar, edhe pse e konsideron argjentinasin futbollistin më të madh të të gjitha kohërave.
Statistikat e vendosin 33-vjeçarin mes emrave më të rëndësishëm në historinë e futbollit zviceran. Ai është lojtari me më shumë paraqitje me kombëtaren dhe mban rekordin edhe për ndeshjet e luajtura në fazat finale të Kupës së Botës.
Rruga e Xhakës drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë. I lindur në Bazel nga prindër me origjinë shqiptare nga Kosova, historia e familjes së tij lidhet me persekutimin politik në ish-Jugosllavi. Babai i tij kaloi disa vite në burg për aktivitetin në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës, përpara se familja të ndërtonte jetën në Zvicër.
Një nga momentet më të diskutueshme të karrierës së tij ishte Botërori i Rusisë në vitin 2018. Pas golit ndaj Serbisë, Xhaka dhe Xherdan Shaqiri festuan duke bërë simbolin e shqiponjës dykrenare, një gjest që u interpretua si mesazh politik dhe u pasua me gjobë nga FIFA.
Në nivel klubesh, Xhaka u formua te Bazeli, për të vijuar karrierën në Gjermani dhe më pas te Arsenali. Në Londër përjetoi momente të vështira, sidomos në vitin 2019, kur u përplas me tifozët dhe humbi shiritin e kapitenit. Por ardhja e Mikel Artetës ndryshoi gjithçka. Trajneri spanjoll i riktheu besimin dhe e ndihmoi të ringrihej në një nga mesfushorët më të rëndësishëm të Premier League.
Kulmin e formës e arriti me Bayer Leverkusen nën drejtimin e Xabi Alonsos, duke qenë një nga shtyllat kryesore të ekipit që fitoi titullin historik të Bundesligës në sezonin 2023–2024.
Sot, Granit Xhaka konsiderohet lideri absolut i Zvicrës. Me përvojën, personalitetin dhe cilësinë e tij në mesfushë, ai mbetet arma më e fortë e helvetëve në përballjen ndaj Argjentinës dhe Lionel Messit./mxh
