Last Updated on 30/08/2025 by adminfjala
Një gjykatë federale e apelit në Washington DC ka vendosur se Donald Trump ka tejkaluar kompetencat e tij presidenciale me politikat e shumicës së tarifave tregtare, të cilat tronditën ekonominë globale gjatë mandatit të tij.
Në vendimin 7 me 4, gjykata theksoi se ligji amerikan “i jep presidentit autoritet të gjerë për të marrë masa në rast emergjence kombëtare, por asnjë prej tyre nuk e përfshin qartë të drejtën për të vendosur tarifa, taksa doganore apo të ngjashme, apo për të taksuar”.
Sipas trupës gjyqësore, shumë nga tarifat e Trump-it janë “pa kufij në përmasë, kohëzgjatje dhe shtrirje” dhe tejkalojnë kufizimet e qarta që përcakton ligji mbi të cilin administrata e tij ishte mbështetur. Vendimi shihet si goditja më e madhe deri tani për politikat tregtare të ish-presidentit dhe pritet të shkojë në Gjykatën e Lartë, e cila do të përcaktojë nëse Trump ka pasur të drejtën ligjore për të ndryshuar politikën tregtare të SHBA-së. Megjithatë, vendimi nuk hyn në fuqi deri më 14 tetor.
Trump reagoi menjëherë në rrjete sociale duke theksuar: “TË GJITHA TARIFAT JANË ENDE NË FUQI!”, ndërsa akuzoi gjykatën përanshmëri politike. “Nëse ky vendim mbetet në fuqi, do të shkatërronte fjalë për fjalë Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” shkroi ai, duke mbrojtur tarifat si “mjetin më të mirë për të ndihmuar punëtorët dhe kompanitë amerikane”.
Vendimi i gjykatës rrëzon tarifat e ashtuquajtura “Dita e Çlirimit”, që vendosnin një taksë 10% për pothuajse të gjithë partnerët tregtarë të SHBA-së, si dhe tarifat “reciproke” ndaj vendeve që Trump i akuzonte për trajtim të padrejtë.
Shtëpia e Bardhë reagoi përmes zëdhënësit Kush Desai, i cili theksoi se Trump “ka ushtruar në mënyrë të ligjshme kompetencat për tarifat që Kongresi i ka dhënë, për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe ekonomike nga kërcënimet e jashtme” dhe se “tarifat mbeten në fuqi, ndërsa presim fitoren përfundimtare”.
Ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Tregtisë, William Reinsch, deklaroi se administrata Trump e kishte parashikuar këtë vendim dhe është duke përgatitur një “Plan B” për të mbajtur tarifat në fuqi përmes dispozitave të tjera ligjore.
Çështja “VOS Selections Inc kundër Trump” u gjykua fillimisht në maj, ku gjykata tregtare vendosi se tarifat “tejkalojnë çdo autoritet të dhënë presidentit”. Por vendimi u pezullua përkohësisht deri në apelin e radhës.
Në seancën e 31 korrikut, gjyqtarët shprehën skepticizëm për argumentet e administratës, duke vënë në dukje se ligji mbi kompetencat emergjente (IEEPA) “nuk përmend fare fjalën ‘tarifa’”. Gjykata e apelit theksoi se ka ligje të tjera që i japin presidentit të drejtën për të vendosur tarifa, por vetëm kur ky autorizim shprehet qartë dhe në mënyrë precize.
