Last Updated on 31/08/2025 by adminfjala
Tregu i pasurive të paluajtshme pritet të ndikohet nga masat kufizuese për kredinë për qëllime investimi dhe tendenca drejt stabilizimit e numrit të turistëve të huaj.
Pasuritë e paluajtshme ngelen alternativa kryesore ndaj investimeve financiare, veçanërisht në rastin e Shqipërisë, ku mungon një treg i zhvilluar kapitalesh, ndërsa aksesi në tregjet e huaja është ende i kufizuar.
Pas pandemisë, tregu i pasurive të paluajtshme ka ndjekur një cikël rritjeje të shpejtë të çmimeve.
Kërkesa në këtë treg është mbështetur nga rritja e turizmit, oferta e lartë e kredisë bankare dhe interesi në rritje për blerje nga subjekte të huaja ose jorezidente.
Megjithatë, vlerësimet e sakta për ecurinë e çmimeve ngelen ende të vështira. I vetmi indeks periodik i çmimeve të banesave është ai i publikuar me frekuencë 6-mujore nga Banka e Shqipërisë.
Indeksi Fischer tregoi që çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit të dytë 2024 u rrit me 23.6% në krahasim me 6-mujorin e kaluar, dhe me 44.5% në krahasim me një vit më parë. Indeksi i çmimeve për shitjet në Tiranë u rrit me 26.2% ndaj periudhës paraardhëse dhe 56% ndaj nivelit të një viti më parë.
Vlerësimi i përgjithshëm i agjentëve për situatën e përgjithshme të tregut ishte disi më pozitiv në krahasim me 6-mujorin e parë.
Në përgjigje të pyetjes “Si e vlerësoni situatën e tregut në krahasim me periudhën (6-mujorin) e mëparshme?”, balanca neto e përgjigjeve ishte pozitive për rreth 5%, me përgjigje veçanërisht optimiste për zonën e qyteteve bregdetare, ku vlera e balancës ishte dukshëm më pozitive sesa mesatarja afatgjatë.
I njëjti tregues i vlerësuar vetëm për subjektet që kanë raportuar shitje rezultoi ndjeshëm më pozitiv gjatë periudhës, me një balancë neto rreth 17%.
Balanca e treguesit të numrit të banesave të reja të regjistruara nga agjentët ka rënë lehtë ndaj periudhës paraardhëse. Balanca neto e atyre që raportojnë rritje të numrit të banesave të regjistruara dhe atyre që raportojnë rënie të numrit të tyre ishte -5%.
Nga ana tjetër, numri i pronave të pashitura, si për banesa, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për disa gjashtëmujorë radhazi.
Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra në 9.3 muaj nga 10.5 muaj në vrojtimin e mëparshëm.
Në rastin e Tiranës, koha mesatare e shitjes u ul ndjeshëm në 7.1 nga 9.7 muaj. Koha mesatare për shitjet në zonat bregdetare u rrit, duke u kthyer në vlerat e një viti më parë, në 10 muaj, ndërsa për zonat e tjera, kohëzgjatja e shitjes ishte pak më e ulët sesa në 6-mujorin e kaluar, duke rënë në 11.6 nga 12.9 muaj. m.p.
