Sulmet izraelite në Gaza, raportohen të paktën 31 të vrarë

Izraeli ka kryer sulme ajrore në mbarë Rripin e Gazës të hënën, më 1 shtator, duke vrarë të paktën 31 persona, thanë punëtorët shëndetësorë, teksa vendi po shtyn përpara një ofensivë në qytetin më të madh të territorit, Qytetin e Gazës.

Njoftimi për numrin e viktimave vjen pasi studiues të njohur të gjenocidit, bashkë me grupe të tjera për të drejtat e njeriut, akuzuan Izraelin për gjenocid, akuza që ai i hedh poshtë me vendosmëri.

Sulmet ajrore dhe granatimet me artileri janë kryer vazhdimisht në Qytetin e Gazës qëkur Izraeli e shpalli atë zonë të rrezikshme lufte javën e kaluar. Në periferi të qytetit dhe në kampin e refugjatëve Xhabalia, banorët kanë vërejtur robotë të mbushur me eksplozivë që shkatërrojnë ndërtesa.

Spitalet në Gazë thanë se të paktën 31 persona u vranë nga sulmet izraelite dhe se shumica ishin gra dhe fëmijë. Të paktën 13 prej tyre u vranë në Qytetin e Gazës, ku Izraeli po kryen një prej operacioneve më të mëdha që kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke nxitur luftën më 7 tetor 2023.

Izraeli thotë se shënjestron vetëm militantët dhe fajëson Hamasin për viktimat civile. Deri më tani, si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 63.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Kjo ministri thotë se edhe më shumë se 160.000 të tjerë janë plagosur – por, në shifrat që ky institucion publikon, nuk bëhet dallimi mes civilëve të vrarë dhe luftëtarëve.

Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit vrau afër 1.200 persona dhe mori peng 251 të tjerë. Dyzet e tetë pengje ende janë në Gazë dhe afër 20 prej tyre besohet se ende janë gjallë, ndërkaq pjesa tjetër janë liruar gjatë armëpushimeve apo marrëveshjeve paraprake.

Lexo edhe :  SHBA miraton shitjen e sistemeve “Patriot” për Danimarkën

Teksa lufta po vazhdon, organizata më e madhe e studiuesve të gjenocidit tha më 1 shtator se Izraeli po kryen gjenocid në Gazë.

Izraeli, i cili u themelua pas Holokaustit, ku u vranë 6 milionë hebrenj evropianë dhe të tjerë, i hedh poshtë akuzat. Ai thotë se ndërmerr çdo masë për të shmangur dëmtimin e civilëve dhe se po zhvillon një luftë në vetëmbrojtje pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, të cilin Izraeli e cilëson vetë si një akt gjenocidal. m.p.