Gaza në kolaps, 4 sulme ajrore në orë. Shkakton zemërim ministri izraelit

Qyteti i Gazës po mbahet nën një valë të re shkatërrimi: Forcat izraelite godasin deri në katër herë në orë lagjet më të populluara, ndërsa rrjeti i telefonisë dhe internetit është shembur, duke izoluar edhe më shumë pjesën më të goditur të botës.

Sipas zyrtarëve ushtarakë izraelitë, operacionet synojnë të gjejnë dhe të neutralizojnë udhëheqësit e Hamasit. I njohur si “Fantazma”, Izz al-Din al-Haddad dyshohet se fshihet brenda labirintit të tuneleve të Gaza.

“Do na duhen 2–3 muaj për të kontrolluar qytetin, dhe edhe më shumë për të kapur të gjithë terroristët”, tha një zyrtar i Kirya-s, selisë ushtarake në Tel Aviv. Kreu i shtabit Eyal Zamir paralajmëroi se për të “zhdukur ushtarakisht” Hamasin mund të duhen vite.

Raportimet flasin për dhjetëra mijëra viktima. Hamasi njofton mbi 65 mijë të vdekur. Në spitalin Shifa mbërriti një nënë me fëmijën e saj të vdekur, dyshohet se u goditën nga një bombë 200-kilogramëshe që goditi pallatin ku flinin. Një familje u shkatërrua në një kamp të Muwasi-s, pranë zonës humanitare të ngritur për të strehuar rreth një milion njerëz të zhvendosur nga Gaza City.

Mes rrënimeve ka humbje edhe të pasurive kulturore. Një depo me mijëra artefakte arkeologjike, përfshirë mozaiket e një manastiri bizantin të shekullit IV, u shkatërrua gjatë një shpërthimi. Forcat izraelite thonë se magazina ishte përdorur nga Hamasi për qëllime inteligjence.

Në kufirin me Gazën, ministri konservator Bezalel Smotrich tha fjalë që kanë ngjallur zemërim.

“Kjo luftë paguhet vetë. Shkatërrimi është bërë, tani vetëm duhet të ndërtojmë”, duke e përshkruar zonën si një “minierë ari” për zhvillime të ardhshme. Ndërkaq, Papa Leoni XIV e cilësoi situatën si “të papranueshme”, duke rikujtuar se çdo jetë ka dinjitet të pacenueshëm.

Lexo edhe :  Netanyahu nuk përjashton sulme të tjera ndaj udhëheqësve të Hamasit

Zyrtarët ushtarakë izraelitë paralajmërojnë se numri i luftëtarëve në qytet, që më parë vlerësohej 2–3 mijë, po rritet. Në qytet kanë hyrë “elementë të rinj”, të rekrutuar për luftë guerile, pritje me shpërthime dhe sulme me snajperë. Gazetarët ushtarakë parashikojnë se në ditët e ardhshme mund të nisë një fazë intensive manovrash që do të shoqërohet me hyrjen më masive të trupave brenda qytetit.

Qeveria izraelite ka urdhëruar hapjen e Salah a-Din Street deri të premten në orën 12:00 për të lehtësuar largimin drejt jugut, por zyrtarët paralajmërojnë se rreth 100 mijë palestinezë nuk do të largohen, një fakt që do ta vështirësojë dhe më shumë operacionin. Nga ana tjetër, dhjetëra mijëra të zhvendosur po kthehen në qytet, duke dëshmuar se shumë s’kanë ku të shkojnë.

Situata humanitare vazhdon të përkeqësohet ndërsa bota shikon me shqetësim dhe pyetjen se sa do të zgjasë akoma ky cikël dhune që po shndërron Gazën në një zonë të shkatërruar./kb