Nga Edmond Spaho
Trishtim i madh kur ecën rrugëve të Tiranës. Pa semaforë në çdo kryqëzim, me trotuare sikur i kanë rrjepur qentë, me bankomate të fortifikuara me mbulesa metalike, të cilat nuk shërbejnë, me biznese në qendër të Tiranës të blinduara me metal, si në fillimet e viteve ’90, si dhe me institucione të djegura e të shkatërruara.
Përse e bëmë? Kujt i duhej? Kujt i shërbeu?
Të gjithë ankohen për dhunën e policisë ndaj demonstruesve. Po për ata që dogjën Tiranën, a do të ankohet njeri?
Të drejtat dhe liritë e njeriut janë universale, por jo deri në atë pikë sa të shkelen të drejtat dhe liritë e mia.
Protesto sa të duash, por jo duke djegur e shkatërruar atë që kemi ndërtuar së bashku.
Ata që dogjën dhe shkatërruan qytetin ku jetojmë nuk janë promotorë të një shoqërie më të mirë e më të drejtë. Ata janë huliganë të paguar për të shkaktuar trazira në Tiranë.
Asnjëherë nuk do t’i mbështes, çfarëdo qofshin: flamingo, studentë apo kontingjente të opozitës.
Nuk më duhet një Shqipëri e Re që ndërtohet duke djegur atë Shqipëri që kemi ndërtuar.
Stop dhunës, nga kushdo që vjen dhe për çfarëdo arsyeje!
