Last Updated on 23/09/2025 by adminfjala
Fuqitë botërore siguruan ndihma gjatë luftërave civile në Siri dhe Sudan. Na nevojitet një “Lifeline Rafah” përpara se më shumë njerëz të vdesin nga uria
nga Moazzam Malik
Ndërsa katastrofa humanitare në Gaza thellohet, liderët botërorë që janë mbledhur për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së përballen me një provë të rëndë morale dhe politike – një provë që ka pasoja për mënyrën se si do të zhvillohen luftërat dhe për sigurimin e ndihmës humanitare në dekadat që do të vijnë.
Përdorimi i ndihmës humanitare si instrument pushtimi nga autoritetet izraelite daton pothuajse 20 vjet më parë. Si zyrtar britanik, në vitin 2008 unë drejtova një rishikim të situatës humanitare në Gaza, kur qeveria e atëhershme e Izraelit sapo kishte vendosur bllokadën. I këshillova ministrat britanikë se kjo nuk ishte në përputhje me parimet ndërkombëtare humanitare, se nuk do ta pranonim këtë në kontekste të tjera humanitare dhe nuk duhej ta pranonim as në këtë rast. Qeveria britanike injoroi rekomandimet e mia për të siguruar akses të pavarur për ndihmën humanitare në Gaza.
Tani që uria është shpallur zyrtarisht në Gaza – një e para në Lindjen e Mesme – fëmijët po shuhen nga uria, ndërsa kamionë me ndihma jetike ndodhen të bllokuara matanë kufirit. Bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë vendosmërisht dhe me urgjencë për të thyer bllokadën. As hedhja nga ajri, as rrugët detare nuk mund të ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme dhe në shkallë të gjerë për të përballuar vuajtjet e menjëhershme apo nevojat e viteve që vijnë, duke pasur parasysh nivelin e shkatërrimit. Të gjitha opsionet duhet të merren parasysh tani, përfshirë krijimin e një “linje shpëtimi humanitare” përmes kufirit Egjipt–Gaza në Rafah, nën mandatin e Kombeve të Bashkuara ose një “koalicioni të gatshëm” ndërkombëtar. Kufizimet e Izraelit mbi ndihmën që hyn në Gaza mund të sfidohen dhe të anashkalohen. Politkisht do të jetë e diskutueshme, por ka precedentë.
Në vitin 2014, Këshilli i Sigurimit i OKB-së autorizoi një mekanizëm humanitar ndërkufitar për Sirinë. Ai i lejoi agjencitë e OKB-së dhe partnerët e tyre të shpërndanin ndihma jetike për miliona sirianë pa pëlqimin e qeverisë së Damaskut. Ky mekanizëm ishte një shpëtim për civilët e kapur në një konflikt brutal. Ai u mbështet mbi të drejtën humanitare ndërkombëtare dhe mbi përgjegjësinë e OKB-së për të mbrojtur civilët kur shtetet nuk mund ose nuk duan ta bëjnë këtë. Ai tregoi se edhe në një Këshill të Sigurimit të ndarë, konsensusi është i mundur kur imperativi humanitar është i qartë.
Por Siria nuk është i vetmi shembull.
Në Sudan, gjatë urisë dhe luftës civile në vitet ’80, u nis Operacioni Lifeline Sudan si një përpjekje e përbashkët midis OKB-së, OJQ-ve dhe të dyja palëve ndërluftuese. Ai mundësoi akses humanitar që lejoi ndihmat të arrinin tek civilët si në zonat e kontrolluara nga qeveria ashtu edhe në ato të rebelëve, pavarësisht mungesës së një marrëveshjeje paqeje. Ishte një nga shembujt e parë të aksesit të negociuar ndërkufitar në një zonë konflikti.
Pas Ciklonit Nargis në vitin 2008, ndihma ndërkombëtare u bllokua fillimisht nga qeveria e atëhershme e Mianmarit. Si zyrtar britanik që mbikëqyrte asistencën humanitare të Mbretërisë së Bashkuar, vizitova Yangon-in së bashku me partnerë ndërkombëtarë. Përmes angazhimit diplomatik intensiv – të udhëhequr nga vendet e rajonit – u krijua një mekanizëm koordinues që përfshinte Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) dhe OKB-në, duke lejuar që ndihmat të rridhnin. Mësimi ishte i qartë: mekanizmat ndërkombëtarë mund të kapërcejnë barrierat politike kur jeta njerëzore është në rrezik.
Situata në Gaza sot nuk është më pak urgjente.
Në dhjetor 2023, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 2720. Ajo kërkonte që të gjitha palët në konflikt të lehtësonin përdorimin e të gjitha rrugëve për hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza. Sot, përpjekjet ndërkombëtare janë të përqendruara, me të drejtë, për ta bindur Izraelin të hapë pikat kufitare. Megjithatë, duke parë moslëvizjen e Izraelit, perspektivat për një ndryshim të qëndrueshëm duken të zymta. Pika e kalimit në Rafah mes Gazës dhe Egjiptit është i vetmi rrugë alternative humanitare që mund të funksionojë jashtë kontrollit izraelit. Por, me Izraelin që kontrollon anën e Gazës, qasja përmes Rafah-ut është praktikisht e paralizuar. Karvanët me ndihma janë të bllokuar. Evakuimet mjekësore po refuzohen. Përpjekjet humanitare për të shpëtuar jetë po pengohen.
Një mekanizëm humanitar ndërkombëtar, i mandatuar dhe që punon ngushtë me Egjiptin, mund ta ndryshojë këtë. Ai do të kërkonte menaxhim ndërkombëtar në të dyja anët e kufirit, si dhe dërgimin e furnizimeve emergjente në UN dhe OJQ-të ndërkombëtare në terren për t’i shpërndarë përmes kanaleve të mirënjohura humanitare. Me përmirësime në infrastrukturën kufitare, ai do të mundësonte lëvizjen e furnizimeve në shkallë të gjerë me mbikëqyrje transparente. Do të ishte një tregues i vendosmërisë ndërkombëtare për të mbrojtur parimet e humanitetit, neutralitetit dhe pavarësisë. Do të ndihmonte palestinezët të qëndronin në Gaza me dinjitet.
Sigurisht që do të ketë shumë kritikë dhe kundërshtarë, sidomos ata që janë të përkushtuar për aneksimin e territoreve palestineze të pushtuara. Përballë vuajtjeve masive dhe urisë, a do të vazhdojë bashkësia ndërkombëtare të nxjerrë vetëm deklarata? Bashkësia ndërkombëtare dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së kanë përgjegjësi të veprojnë kur civilët janë në rrezik të madh. Mosveprimi është bashkëfajësi në mizoritë që po kryhen në Gaza.
Populli i Gazës janë qenie njerëzore me të drejta, dinjitet dhe nevoja urgjente. Bashkësia ndërkombëtare që mblidhet në OKB dhe përtej saj duhet të tregojë të njëjtin guxim si në Siri, Sudan, Mianmar dhe gjetkë.
Koha e masave gjysmake dhe deklaratave boshe ka mbaruar. Më shumë se 2 milionë njerëz janë të bllokuar – nën rrethim dhe nën sulm nga Izraeli. Ekipet tona të Save the Children raportojnë se mohimi sistematik i ndihmës humanitare po u mohon fëmijëve ushqimin, ujin, ilaçet, madje edhe pelenat dhe qumështin për foshnjat. Shëndetësia është kolapsuar nga sulmet ndaj spitaleve dhe punonjësve shëndetësorë. Arsimi formal ka kolapsuar nga sulmet ndaj shkollave. Më shumë se 90% e shtëpive dhe shkollave janë dëmtuar ose shkatërruar. Më shumë se 20 mijë fëmijë janë vrarë.
Është koha për të krijuar një mekanizëm të pavarur humanitar ndërkufitar përpara se të humben më shumë jetë. Është koha për Lifeline Rafah.
Moazzam Malik është CEO i Save the Children/ Përgatiti për botim: L.Veizi
