Ish-miss dhe avokatja e presidentit! Kush është Prokurorja e re, e emëruar nga Trump

Të qenit besnike. Duket se kjo është tani cilësia kryesore për të qenë pjesë e rrethit të Donald Trump-it. Dhe dje, presidenti i Shteteve të Bashkuara shpërbleu besnikërinë e avokates dhe ish-misit, Lindsey Halligan, 35 vjeçe, duke e vendosur në një rol të rëndësishëm në administratën gjyqësore amerikane, në vend të Erik Siebert-it të përjashtuar, të cilin Donald Trump e cilësoi si të pabesë.

Njoftimi, si zakonisht, erdhi nga rrjeti i tij social Truth: “Është një nder për mua të emëroj Lindsey Halligan si prokurore të Shteteve të Bashkuara për distriktin lindor të Virxhinias. Lindsey është një avokate e fortë, inteligjente dhe besnike, që ka punuar me mua edhe në luftën fitimtare kundër përdorimit politik të sistemit tonë gjyqësor nga Joe Biden-i i korruptuar”. Trump siguroi se Lindsey “është e guximshme dhe do të ketë vendosmërinë për të qenë jashtëzakonisht e shkëlqyer”.

Një emërim surprizë, duke pasur parasysh CV-në e Halligan, e cila nuk përfshin asnjë përvojë në rolin për të cilin është zgjedhur, pasi është marrë gjithmonë me çështje sigurimesh. Avokatja hyri në “orbitën trumpiane”, pasi ishte pjesë e ekipit ligjor që përfaqësoi presidentin pas bastisjes në resortin e tij në Mar-a-Lago, Florida, ku kërkoheshin dokumentet e klasifikuara. Halligan ka punuar gjithashtu në padinë që Trump ngriti kundër CNN-it, kur media e njohur e krahasoi atë me Hitlerin, raporton Corriera Della Sera.

Së fundmi, ka qenë në vijën e parë për të hequr atë që administrata pretendon se është “ideologji e papërshtatshme” në “Smithsonian Institution”, një fondacion privat, por i financuar me fonde federale. Trump i ka dhënë 120 ditë afat për të hequr nga muzetë kombëtarë “ideologjitë dhe kulturat gërryese, duke rikthyer të vërtetën dhe arsyen në rrëfimin e historisë amerikane”. E thënë thjesht: të hiqen referencat për racizmin. Në një intervistë, avokatja komentoi se nuk i pëlqente fakti që për SHBA-të flitej se “ka qenë vend sklavërues”. “Ajo që vura re kur vizitova muzeun Smithsonian ishte theksi i tepërt mbi skllavërinë. Ajo ishte padyshim një gjë e tmerrshme, por nuk flitet me ndershmëri, nëse nuk jepet edhe shpresë”.

Lexo edhe :  Përmbytje katastrofike në Ibiza, ishulli goditet nga stuhia më e rëndë në 73 vite

E rritur në Kolorado, ajo ka studiuar politikë dhe gazetari. Ka marrë pjesë dy herë në Miss Colorado: në vitin 2009 doli e dyta dhe në 2010, e treta. Avokatja ka thënë se sporti e konkurset e bukurisë e kanë mësuar të heqë stresin. “Sporti dhe konkurset e bukurisë më kanë mësuar të përballoj stresin: në skenë, ose në Shtëpinë e Bardhë”./kb