Last Updated on 24/09/2025 by adminfjala
Imazhi origjinal i realizuar nga Brian Duffy pritet të arrijë deri në 300,000 £ kur të dalë në ankand në tetor
Nga Lanre Bakare
Imazhi origjinal i përdorur për albumin Aladdin Sane të David Bowie-t mund të bëhet kopertina e albumit më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë, me një vlerësim prej 300,000 £ kur të dalë në ankand.
Fotografia e famshme e Bowie-t me rrufenë e pikturuar mbi fytyrë mund të thyejë rekordin e vendosur nga kopertina e albumit debutues të Led Zeppelin-it, e cila u shit për 325,000 dollarë në vitin 2020.
E realizuar nga fotografi Brian Duffy – një nga “treshja e tmerrshme” së bashku me David Bailey dhe Terence Donovan, që fiksuan Londrën si kryeqendër kulturore të viteve ’60 – ajo u bë një nga imazhet më të famshme të historisë së rock-ut. Fotografia është pjesë e 35 objekteve nga arkivi i Duffy-t që po shiten nga Bonhams.
Lot-i përfshin gjithashtu karrigen mbi të cilën u ul Bowie gjatë fotosesionit për Aladdin Sane në vitin 1973, kamerën origjinale Hasselblad 500C që përdori Duffy, si dhe një kontakt-sheet nga fotosesioni – një prej vetëm dy ekzemplarëve që ekzistojnë.
Edhe imazhi i plotë i Bowie-t si Aladdin Sane, që u përdor si hapje qendrore (centrefold) në 5,000 kopjet e para të albumit, do të dalë në ankand, me një vlerësim mes 150,000 dhe 200,000 £.
Sipas Claire Tole-Moir, drejtore e departamentit të kulturës popullore në Bonhams, kur shumica e njerëzve mendojnë për Bowie-n, në mendjen e tyre shfaqet imazhi i Duffy-t – dhe pikërisht për këtë arsye, origjinali mund të vendosë një rekord të ri.
Ajo tha: “Të vetmet kopertina që krahasohen me këtë në nivel rëndësie janë ajo e realizuar nga George Hardie për albumin debutues të Led Zeppelin-it dhe Captain Fantastic i Elton John-it, që u shit për 212,500 dollarë. Kjo e Bowie-t është në të njëjtin nivel.”
Gjatë dekadës së fundit, imazhi i Bowie-t nga Duffy është ekspozuar për qindra mijëra vizitorë në mbarë botën. Arkivi i Duffy-t e huazoi kopertinën e Aladdin Sane për ekspozitën botërore të V&A “David Bowie Is”, e cila u bë ekspozita ndërkombëtare më e vizituar në 165 vitet e historisë së muzeut. Vetëm në Londër u panë nga 312,000 vizitorë, përpara se të udhëtonte në Toronto, São Paulo, Berlin, Çikago, Paris, Melburn, Groningen, Bolonjë, Tokio, Barcelonë dhe Nju Jork. Javën e kaluar, V&A East Storehouse në Londër hapi një arkiv të ri kushtuar Bowie-t.
Fotografia ishte gjithashtu pjesa qendrore e ekspozitës së Southbank Centre për të shënuar 50-vjetorin e Aladdin Sane në vitin 2023. Djali i Duffy-t, Chris, e quajti imazhin “Mona Liza e pop-it”.
Chris Duffy i tha The Guardian-it se rrufeja e famshme mbi qepallën e Bowie-t në fillim ishte një emblemë e vogël në mollëzën e tij, por më pas i ati ndërhyri, “mori një buzëkuq dhe vizatoi skicën e një rrufeje shumë më të madhe … dhe kështu lindi Aladdin Sane.”
Krijimi i imazhit nuk ishte vetëm meritë e Duffy-t. Philip Castle, bashkëpunëtori i Stanley Kubrick-ut që punoi mbi posterët e A Clockwork Orange, përdori teknikën e airbrush-it mbi fotografinë, duke shtuar watermark-un mbi shpatullën e Bowie-t dhe duke i përmirësuar qerpikët.
“Është një printim dye transfer, që është një nga format më cilësore të printimit që mund të bëhej,” tha Tole-Moir. “Në kohën e krijimit, në vitin 1973, kjo ishte një nga procedurat më të shtrenjta, jashtëzakonisht e kushtueshme. Pra, vetëm fakti që u realizua në atë kohë ishte një privilegj.”
Burimi: theguardian.com / Përgatiti për botim: L.Veizi

