Last Updated on 23/09/2025 by adminfjala
“Plumbi i Artë” është një prej dosjeve më të rëndësishme të viteve të fundit që ka “zbërthyer” disa prej ngjarjeve të rënda kriminale.
Ditën e sotme dy “killerat” Petrit Qoli dhe Skerdi Tase janë përplasur në seancën e zhvilluar në GJKKO që sjell në vëmendje një vrasje të bujshme të ndodhur 16 vite më parë, atë të ish-deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindit.
Petrit Qoli mbahet në qeli i akuzuar për veprën penale “Vrasje me paramendim”, si i përfshirë në dosjen “Plumbi i Artë”. Ai ka qenë bashkëpunëtor i Nuredin Dumanit dhe sot në sallën e gjyqit ka tronditur me pyetjen që i ka drejtuar ushtarit tjetër të vrasësit me pagesë, Skerdi Tase.
“Mos jeni ju personi që keni qëlluar ndaj deputetin Fatmir Xhindi? Sepse ju keni thënë që të gjithë personat i keni qëlluar kanë qenë në 5m distancë, dhe Xhindi është vrarë nga kaq distancë?”, ka pyetur Petrit Qoli, duke tronditur sallën e gjyqit.
Si ndodhi vrasja e Fatmir Xhindit?
Në 3 maj të vitit 2009 u vra deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi.
Edhe pse kanë kaluar rreth 16 vjet, janë ndërruar qeveri, ministra të brendshëm, prokurorë të përgjithshëm, madje dhe i tërë sistemi i drejtësisë dhe ende nuk ka një autor të asaj ngjarje.
Dinamika e krimit
Xhindi niset i vetëm drejt banesës në Roskovec me fuoristradën e zezë dhe pa djalin e tij të vogël duke shmangur njw krim tw dyfishtw.
Rreth 30 metra larg banesës, në një rrugicë të mbuluar nga bari i lartë afrohet një person që nuk u identifikua kurrë. Errësira kishte rënë dhe vendi ku qëndronte personi kishte fushëpamje drejt hyrjes së banesës së deputetit. Po ashtu, ajo rrugë të jepte mundësinë e largimit pa u diktuar nga askush.
Fuoristrada e deputetit Xhindi mbërrin dhe mjeti drejtohet brenda oborrit të banesës. Ai zbret nga makina, dhe hap derën e bagazhit për të nxjerrë rrobat e punës që përdori te toka në fshat.
Nga rruga përballë, përbri kësaj magazine, nisin të shtënat e kallashnikovit drejt deputetit. Xhindi goditet pas shpine me 6 plumba. Autori afrohet, e qëllon edhe nga afër në kokë për tu siguruar që ti marrë jetën.
Vrasësi ndjek të njëjtën rrugë nga kishte ardhur, duke dalë pas magazinës. Aty, del në unazën e qytetit dhe kalon në këmbë përtej kryqëzimit që ndan rrugët drejt komunës së Kurjanit dhe asaj drejt Beratit.
Një bashkëpunëtor mendohet se e priste me makinë për tu larguar në drejtim të paditur dhe për të mos u gjetur as sot e kësaj dite. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 8:45 minuta, por pavarësisht breshërisë së armës, familjarët nuk kishin kuptuar asgjë.
Kush është “killeri” Skerdi Tase?
Skerdi Tase, i njohur si pjesë e grupit të vrasësve me pagesë të Nuredin Dumani ka shprehur vullnetin për t’u bërë bashkëpunëtor i drejtësisë me qëllim zbardhjen e ngjarjeve ku ai vetë ka qenë pjesë.
I arrestuar në maj të vitit 2022, Tase vendosi të flasë për të kaluarën e tij të errët, duke përshkruar në detaje episode të dështimeve dhe suksesit të atentateve, nga Elbasani në Fier e deri në Tiranë.
SPAK i dha statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, pas vlerësimit të dëshmive të tij si “të detajuara dhe në përputhje me rrëfimet e Nuredin Dumanit”.
Në vitin 2012, Skerdi Tase ishte thjesht një banakier në një lokal në Fier. Por lidhjet e hershme me individë të përfshirë në krime e çuan drejt një rruge pa kthim. Nga shitja e arit të vjedhur dhe sigurimi i armëve për shokët e tij, Tase përfshihet gjithnjë e më thellë në një botë ku jeta e njeriut kishte një çmim.
Në vitin 2017, Skerti Tase njihet me Henrik Hoxhajn përmes një tjetër figure të errët, Viron Tavanxhiu person i përfshirë në trafik droge dhe nën hetim për një vrasje në Itali. Kjo lidhje e re do të shënonte hyrjen e Skerdit në botën e atentateve me porosi.
Tase deklaroi se në disa atentate ku kishte marrë pjesë personalisht si ekzekutor, armët kishin pasur defekte, duke i lënë ngjarjet në tentativë. Në bashkëpunim me Henrik Hoxhën, ai përmendi atentatet e dështuara ndaj shtetasve Agim Goriçi, Ajredin Behari dhe Lulzim Mashës.
Një nga vrasjet e para për të cilën Tase pretendon se ishte kontaktuar ishte ajo e Agim Goriçit, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018.
Sipas Tases, gjithçka nisi në Fier, me Henrik Hoxhën dhe Viron Tavanxhiun. Ai filloi si furnizues armësh dhe shpejt kaloi në rreshtin e parë të atentateve. Nga tentativa e dështuar për vrasje, i penduari i drejtësisë tregoi se ai përfshihet në atentate më të sofistikuara me bashkëpunim të Nuredin Dumanit, një nga figurat më të rënda të botës së krimit në Shqipëri.
Në Elbasan, sipas Tases, një nga atentatet e realizuara ishte ai ndaj Emiljano Ramazanit në Elbasan, i cili u qëllua për vdekje, më 20 korrik 2020, vetëm pak sekonda pasi ishte ndalur me makinën e tij në sheshpushimin e pallatit ku banonte në vendin e njohur si ‘Rrethrrotullimi i Luleve’ në Elbasan.
Më pas Tase përshkruan si planifikuan të vrisnin Bujar Çelën, vëllain e Talos. Gjatë një takimi me Nuredin Dumanin, u vendos dhe një “kapar” prej 5 mijë eurosh. Provat e paraqitura nga SPAK e cilësojnë dëshminë e Skerdi Tases si themelore për zbërthimin e rrjetit kriminal që operonte prej vitesh në Elbasan. Fjalët e tij përputhen me ato të një tjetër të penduari, Nuredin Dumani, duke formuar një mozaik të frikshëm vrasjesh të urdhëruara nga krerët e bandave rivale. m.p.
