Në kohët e sotme, ku shumë të rinj janë bërë “robër” të celularit dhe internetit, ku ëndrrat shpesh maten me “like” dhe jo me mund e vlera, shfaqet një figurë që e lufton këtë “sëmundje” moderne: Rukena Demushi. Një dëshmi frymëzuese se bota është më e gjerë se ekrani i celularit, se energjia më e bukur e rinisë nuk duhet të soset nëpër rrjetet sociale, por të shpaloset në fusha të gjelbra, aty ku topi është miku më i mirë, jo ikonat virtuale.
Kapitenia e Shqipërisë U-15, Rukena Demushi është zëri që thotë: “Mos u mbyllni në kufijtë e teknologjisë, ka një jetë reale ku mund të shkëlqeni”. Me fanellën kuqezi, ajo udhëhoqi së fundmi shoqet drejt fitores 4-0 ndaj Moldavisë, duke treguar se vajzat shqiptare nuk kanë vetëm guximin, por edhe aftësinë për të shkruar faqe të bukura në historinë e sportit tonë.
Sot, kur shumë mendojnë se futbolli është “lojë e djemve”, Rukena është kundër-argumenti më i bukur. Ajo është simboli i një brezi të ri vajzash që nuk presin të duartrokasin të tjerët nga tribuna, por zbresin në fushë për të treguar talentin e tyre. Një talente e re në futbollin shqiptar, e cila ka fituar interesim edhe nga klube të njohura përtej kufijve.
Edhe pse rrugëtimi i saj në futboll sapo ka nisur, “Barça Clinic” ka hapur dyert për Rukenën, duke i ofruar përvojë një javore te “Barça Academy”, aty ku futbolli mësohet si art dhe talenti gdhendet me standarde të larta europiane. Një mundësi e rrallë, që do t’iu japë krahë ëndrrave të saj. Më 15 tetor, ajo do të shkelë fushat e Barcelonës, aty ku legjendat kanë lënë gjurmët e tyre, do të nisë një kapitull të ri në “librin” e saj të pasionit.
Rukena është “metafora” më e bukur e një brezi që duhet të rritet ndryshe. Ajo është modeli i vajzave që guxojnë, që nuk dorëzohen, që e shohin topin jo thjesht si lojë, por si urë drejt lirisë dhe ëndrrave. Një brez që zgjedh futbollin para ekranit, pra rrjeteve sociale, në fakt zgjedh jetën e vërtetë dhe të shëndetshme. Në këtë drejtim, Rukena është “pishtari” që ndriçon udhën.
Në fushën e gjelbër, aty ku topi vallëzon si një muzikë e përjetshme, Demushi spikat si premtim i së ardhmes. Kjo vajzë e re, por me shpirt prej lidereje, mban mbi shpatulla fanellën kuqezi dhe është shndërruar në frymëzim për çdo bashkëmoshatare, e cila guxon të ëndërrojë me këmbët në tapetin e gjelbër dhe zemrën në qiell…
Kapitenia e Shqipërisë U-15, Rukena nuk është thjesht një lojtare. Ajo është busulla që orienton shoqet e skuadrës, zëri që ndez motivin dhe shembulli që tregon se futbolli nuk njeh kufij gjinorë. m.p.