Europa League, Roma merr fitore në ndeshjen e parë

22 gola në 9 ndeshjet e para u shënuan në fazën e ligës në Europa League, aty ku paraqitje pozitive ishin ato të Romës, Dinamo Zagreb, Freiburg apo Ludogorets.

Skuadra e Gasperinit mori 3 pikët e para ndaj një kundërshtari si Nice, ndërsa luante në transfertë, në një duel që ishte i luftuar nga të dyja kampet. Pas një pjese të parë me pak raste dhe pa gola, në të dytën miqtë nga Italia ia dolën të gjejnë avantazhin me mbrojtësin Ndicka në minutën e 52 dhe dyfishuan me Mancinin.

Një penallti e kthyer në gol nga Moffi rihapi llogaritë, por më tej nuk ndodhi asgjë dhe sfida u mbyll 1-2 për romanët. Dështimi i mbrëmjes mund të konsiderohet Fenerbahce që mori një humbje të rëndë përballë Dinamo Zagreb në shifrat 3-1. Dopieta e Beljo dhe një gol i Bakrar për kroatët, në anën tjetër Szymanski realizoi golin e vetëm. Paraqitje pozitive e sulmuesit shqiptar Arbër Hoxha që asistoi në golin e dytë të Zagrebit.

3 pikë dhe për Ludogorets, Midtjylland, Braga e Freiburg, ndërsa Paok-Maccabi Tel Aviv dhe Crvena Zvezda-Celtic u mbyllën pa fitues. 18 skuadra të tjera zbresin në fushë këtë të enjte, ku më me interes pritet dueli Aston Villa-Bologna, dy skudra që sezonin e shkuar luanin në Champions. Do të provojnë të tregojnë forcën dhe Stuttgart, Lyon apo Porto. m.p.