Netanyahu e quan të turpshme njohjen e Palestinës, salla boshatiset gjatë fjalimit të tij

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë një fjalimi të mbajtur së fundmi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e ka quajtur të turpshme njohjen e Palestinës së fundmi nga Franca dhe Britania e Madhe.

Sipas tij, ky vendim është “vetëvrasje kombëtare” për Izraelin. “Është çmenduri e pastër, është çmenduri dhe ne nuk do ta bëjmë”, thotë kryeministri izraelit.

Në fjalimin e tij, Netanyahu ka folur edhe për atë që ai e quan “boshti i terrorit të Iranit”.

Sipas tij, Izraeli gjatë vitit të fundit ka goditur rëndë Houthit, ka shkatërruar “pjesën më të madhe të makinerisë terroriste të Hamasit” dhe ka “paralizuar Hezbollahun”.

Ndër të tjera shtoi se është dëmtuar rëndë programi i armëve bërthamore dhe raketa balistike të Iranit.

Netanyahu u ndal më pas te sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, duke thënë: “Shumë në botë duket se kanë harruar. Por ne nuk harrojmë.”

Duke përshkruar ngjarjet tragjike të 7 tetorit, Netanyahu kujtoi se mes pengjeve kishte të mbijetuar të Holokaustit, gjyshër e nipër së bashku. Ai tha se Izraeli ka arritur të rikthejë në shtëpi 207 pengje, ndërsa 20 nga 48 që ende mbahen në Gaza rezultojnë të jenë ende gjallë.

Netanyahu lexoi me zë të lartë emrat e këtyre 20 personave dhe më pas iu drejtua atyre drejtpërdrejt përmes altoparlantëve të vendosur në kufi me Gazën: “Nuk ju kemi harruar”, tha ai, duke shtuar se Izraeli nuk do të ndalet “derisa t’i kthejë të gjithë në shtëpi”.

Kryeministri izraelit pati një thirrje edhe për drejtuesit e mbetur të Hamasit.

“Hidhni armët, lironi popullin tim, lironi pengjet. Nëse e bëni, do të jetoni. Nëse jo, Izraeli do t’ju ndjekë kudo”.

Lexo edhe :  Kryetarë komunash në Francë vendosin flamurin palestinez, shpërfillin urdhrin e Qeverisë

Netanyahu u shpreh se pas sulmit të 7 tetorit shumë liderë botërorë qëndruan pranë Izraelit, por kjo mbështetje është “zhdukur” me kalimin e kohës.

Kjo u duk edhe në sallën e OBK-së, teksa gjatë fjalës së tij, shumë liderë shtetesh u larguan duke mos preferuar ta dëgjonin fjalimin e tij. Ky veprim i tyre ka ardhur për shkak se shumë vende janë kundër bombardimeve të Izraelit në Gaza, që po rezulton edhe me vrasjen e civilëve.

Por Netanyahu pati një përgjigje edhe për këtë. “E kundërta është e vërtetë. Izraeli ka hedhur miliona fletëpalosje dhe ka dërguar miliona mesazhe për të paralajmëruar civilët që të largohen nga Gaza”.

Ai shtoi se Hamasi “fshihet në xhami, shkolla, spitale dhe ndërtesa banimi”, duke përdorur civilët si mburoja njerëzore, shpesh nën kërcënimin e armës. m.p.