Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje nga skema e vjedhjes së filialit të Postës Shqiptare në Durrës.
E ftuar në emisionin Të Paekspozuarit, gazetarja Klodiana Lala është shprehur se bëhet fjalë për një vjedhje të sistemit.
Sipas gazetares pas skemës fshihet një grup i strukturuar kriminal. Ajo zbuloi se skeam është e shtrirë në kohë dhe ka dyshime se shuma e vjedhur mund të shkojë deri në 8 miliardë lekë.
Më tej, gazetarja ka deklaruar se ekzistojnë dyshime të forta se paratë mund të jenë përdorur dhe në fushata.
“Kjo është një çështje që e tejkalon Matajn, bëhet fjalë për një vjedhje sistemi.
Prokuroria e Durrësit, në kuadër të hetimit, ka arritur në konkluzion se kjo vjedhje e filialit të postës ka qenë sistemike dhe ka dyshime se ndodhet pas një grup i strukturuar kriminal.
Prokuroria ka dyshime se në këtë skemë është e përfshirë edhe ish-drejtoresha Budini, e cila ka siguruar një vend në Kuvend.
Në Postën Shqiptare funksionon një sistem Eterna.
Është sistem financiar brenda postës. Që nga viti 2020 është vendosur që të gjitha pagesat, përfshirë dhe ato në Kadastër, pra rifreskim pasurie, të kryhen kundrejt një pagese në Postën Shqiptare.
Bëhet fjalë për miliona lekë që arkëtohen gjatë gjithë kohës. Skema është e shtrirë në kohë. Dyshohet se shuma shkon deri në 8 miliardë lekë.
Kemi një zinxhir, kemi një grup të strukturuar kriminal. Paratë, gjatë segmentit që dyshohet se është drejtuar edhe nga persona të tjerë, ka dyshime të forta se mund të jenë hedhur para edhe në fushatë zgjedhore”, tha gazetarja./mxh
