Prokuroria e Korçës ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit Edri Bulicka dhe familjarëve të tij, pas dyshimeve se të ardhurat e krijuara nga këta persona vijnë nga aktiviteti kriminal.
Pas një hetimi disa-vjeçar mbi një procedim penal të nisur në vitin 2022, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, Prokuroria ka konstatuar se shtetasi Bulicka ka investuar të ardhurat e përfituara nga trafiku i narkotikëve në Itali dhe Spanjë në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të tij dhe familjarëve të tij.
Hetimet rrëzuan pretendimet e shtetasit në fjalë se punonte si kamarier në fshatin Udënisht, të Pogradecit. Sipas organit të akuzës ai nuk ka qenë i punësuar në këtë subjekt. Po ashtu, nëna e tij, shtetasja E.B., ka regjistruar një aktivitet tregtar me emërtimin “Shitje online” që nga dhjetori 2021, i cili rezulton të jetë i ushtruar nga adresa e shtëpisë.
Transaksionet bankare të kryera nga këta shtetas gjatë viteve janë në vlera të konsiderueshme në lekë dhe valutë të huaj, për të cilat nuk justifikohet burimi i krijimit.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:
Pasuri të paluajtshme:
- RICH HOTEL në qytetin e Pogradecit, sipërfaqe 152.5 m², në emër të E.B. dhe E.B.
- Truall 965 m², në pronësi të E.B.
- Truall dhe apartamente në pronësi të shtetasve E.B., E.B. dhe E.S.
Subjekte tregtare:
- “Rich Hotel” sh.p.k., Bar Hotel, ortak dhe administrator E.B.
- Person Fizik E.B., me aktivitet shitblerje automjetesh, import-export dhe shërbim parkingu
- Person Fizik E.B., me aktivitet servis makinash dhe dhënie me qira
Pasuri të luajtshme:
- Automjete të markave Mini Cooper, Ford, Daimler Chrysler, Mercedes Benz dhe Audi në pronësi të shtetasve E.B. dhe D.D.
Prokuroria ka vendosur masën e sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive” mbi të gjitha pasuritë dhe subjektet e përmendura, në përputhje me nenin 274, pika 1 dhe 2 të Kodit të Procedurës Penale, duke synuar parandalimin e përdorimit të këtyre pasurive të fituara nga veprimtaria kriminale./e.t