Last Updated on 03/10/2025 by adminfjala
Bombardimi i vazhdueshëm i rrjetit elektrik të Ukrainës nga Rusia po thellon shqetësimet në lidhje me sigurinë e objekteve bërthamore të vendit – pasi një dron ndërpreu energjinë elektrike – për më shumë se tre orë – në vendin e katastrofës bërthamore të Çernobilit në vitin 1986 – në Ukrainën veriore, thanë sot zyrtarët, sipas AP.
Sulmi me dron rrit shqetësimet – pasi më shumë se një javë më parë, centrali bërthamor Zaporizhias i pushtuar nga Rusia, në Ukrainën juglindore – u shkëput nga rrjeti elektrik pas sulmeve.
Si Çernobili ashtu edhe Zaporizhia nuk janë aktualisht funksionale, por ato kërkojnë një furnizim të vazhdueshëm me energji – për të vënë në punë sistemet e rëndësishme të ftohjes – në mënyrë që të shmanget një incident i mundshëm bërthamor.
Një ndërprerje e energjisë elektrike gjithashtu mund të prishë sistemet e monitorimit të rrezatimit – të instaluara për të rritur sigurinë në Çernobil – dhe të operuara nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e OKB-së.
“Rusia po krijon qëllimisht incidente të rrezatimit”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke kritikuar mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së dhe shefin e tij Rafael Mariano Grossi – për atë që ai e përshkroi si një përgjigje të dobët ndaj rrezikut.
“Çdo sulm rus ndaj objekteve tona energjetike, përfshirë ato që lidhen me sigurinë bërthamore, është një kërcënim global”, tha ai.
“Masat e dobëta nuk do të funksionojnë. Nevojiten veprime të forta”, shtoi Zelensky.
Presidenti rus Vladimir Putin i hodhi poshtë pretendimet e Ukrainës se Rusia ka bombarduar linjat e energjisë përreth centralit të Zaporizhias – duke fajësuar Ukrainën për sulmin ndaj centralit të kontrolluar nga Moska, dhe duke paralajmëruar se Rusia mund të kundërpërgjigjej në të njëjtën mënyrë.
Lufta që pasoi pushtimin e plotë të Rusisë ndaj fqinjit të saj më shumë se tre vjet më parë duket se nuk po i afrohet fundit, pavarësisht përpjekjeve për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja. m.p.
