Aktorja amerikane Carrie Coon nuk i shmang komentet që publiku bën për të në internet. Përkundrazi, ajo ka zbuluar se lexon gjithçka që shkruhet për të në rrjetet sociale dhe platformat online, përfshirë edhe diskutimet në Reddit, ku fansat kanë analizuar deri në detaje mënyrën se si ajo ha fruta gjatë skenave në ekran.
Gjatë një paneli të organizuar në kuadër të PaleyFest, aktorja 45-vjeçare tregoi me humor se është në dijeni të diskutimeve që zhvillohen rreth performancës së saj, madje edhe të atyre që mund të duken si detaje të parëndësishme. Një prej tyre lidhet pikërisht me mënyrën se si konsumon ushqim në skenat e serialeve ku interpreton.
Biseda nisi te sfidat e aktrimit në dramat historike, ku personazhet duhet të respektojnë rregulla të rrepta etikete, veçanërisht gjatë darkave dhe skenave në tryezë. Coon, e cila interpreton Bertha Russell në serialin e HBO-së “The Gilded Age”, pranoi se puna në këto produksione e ka bërë të reflektojë edhe mbi sjelljen e saj personale gjatë ngrënies.
Ajo tregoi se ishte pikërisht eksperienca në serialin “The White Lotus” që e bëri të kuptonte se kishte shumë për të mësuar për mënyrën e duhur të të ngrënit.
“Unë nuk e kuptova deri kur bëra ‘The White Lotus’ se sa të tmerrshme ishin mënyrat e mia në tryezë”, u shpreh aktorja.
Por ajo që e bëri rrëfimin edhe më interesant ishte zbulimi se publiku kishte shkuar shumë më larg sesa komentet e zakonshme për aktrimin apo personazhet e saj.
“Ka pasur tema të tëra në Reddit të dedikuara mënyrës se si ha fruta. Mendoj se kjo është një shenjë e suksesit tim”, tha ajo duke qeshur.
Coon nuk u duk aspak e shqetësuar nga fakti se mënyra e saj e të ngrënit ishte kthyer në objekt diskutimi mes përdoruesve të internetit. Përkundrazi, ajo e priti me sportivitet vëmendjen e publikut dhe tregoi se nuk ka ndërmend të shmangë atë që shkruhet për të.
“Kam lexuar gjithçka që keni shkruar ndonjëherë për mua. Më pëlqen. Mendoj se është një formë e mirë e terapisë së ekspozimit”, u shpreh aktorja, duke iu drejtuar me humor diskutimeve që fansat zhvillojnë online./k.m
