Last Updated on 08/10/2025 by adminfjala
Nga Luan Zyka
Me rastin tragjik të vrasjes makabre me vetëgjyqësi të gjyqtarit të Apelit në Tiranën “eurpiane”, mu kujtua një pyetje
që më drejtoi gazetari E. Demi në një emision televiziv:
– Pse nuk angazhohesh në politikë?
– Ku ekziston politika në Shqipëri ?, i përgjigjem. Flas për thelbin e politikës që ti shërbejë qytetarit (politikë, politis = qytetar).
Dhe ngjarja makabre brenda në Gjykatë vërteton mendimin dhe qëndrimin e jetës sime, fatkeqsisht.
Sepse ato fishekë dhe ajo dore u gatuan në laboratorin korruptiv dhe antihuman te politikes shqiptare.
Ndaj mendoj se është momenti tu përgjigjem shumë miqve të mi, ish-studentëve të mi dhe mjaft miqve grekë.
Vendimi im për të mos hyrë në politikën shqiptare nuk lindi nga mospërfshirja, por nga një vetëdije e thellë për realitetin që ajo përfaqësonte dje, dhe aq më qartë sot.
Politika në Shqipëri, vazhdon ashtu si filloi në vitet ’90, pa thelbin e saj, ballafaqimin e ideve dhe dialogun politik, në një skenë batutash, fasadash, ngjyrash dhe spektaklesh tallava, ku forma ka zëvendësuar përmbajtjen, dhe ku fjalët e mëdha shërbejnë vetëm për të maskuar interesat e ngushta personale.
Në vend të idealeve, mbizotëron hipokrizia dhe grotesku, në vend të përkushtimit ndaj vendit, sundon mllefi për pushtet.
Shumë prej atyre që hyjnë në politikë, jo për të shërbyer, por për të përfituar, krijojnë rreth vetes klane që e ushqejnë këtë rreth vicioz të korrupsionit dhe interesave të ndërsjella.
Kjo nuk është politika që i duhet një populli të lodhur nga padrejtësitë, një populli që ka paguar me dhimbje çdo shpresë të tradhtuar.
Shqiptarët kanë nevojë për një politikë racionale, të ndërtuar mbi arsye, ndershmëri dhe dashuri për njeriun, për një shtet modest ( L’ etat modest, JO L’ etat c’est moi), që e sheh qytetarin si qëllim dhe jo si mjet.
Në vend të kësaj, përditë përballemi me një shoqëri që bëhet gjithnjë e më e ashpër, më e ndarë, më e padrejtë.
Ndaj, përzgjedhja ime për të mos u bërë pjesë e kësaj “politike” nuk është dorëheqje, por një akt moral.
