Kristian Preni është i riu shqiptar i cili u arrestua një ditë më parë nga autoritetet italiane pasi në banesën e tij u gjetën 200 kg kokainë me vlerë 16 milionë euro. Shqiptari ka deklaruar përpara autoriteteve italiane se vjen nga një familje e varfër e cila jeton në kushte të vështira.
“Unë vij nga një familje e varfër, u përfshiva në një biznes të keq. Familja ime jeton në kushte të shumë të vështira”, citohet të ketë thënë ai.
Hetuesit italianë besojnë se droga i përket një organizate kriminale për shkak të sasisë së madhe të drogës që u gjet në shtëpinë e të riut.
Ky i fundit, nuk ka treguar asnjë detaj nëse është pjesë e ndonjë grupi. Preni është shprehur se edhe arma që iu gjet në banesë, nuk i përket atij dhe se nuk e ka përdorur kurrë.
“Kur më ndaluan, po kthehesha në Shqipëri. Është hera e parë që bëj diçka të tillë. Arma nuk është e imja, nuk e kam blerë dhe as përdorur kurrë”-tha ai. m.p.
