Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se është e rëndësishme për Kosovën të vazhdojë të ndërtojë institucione të fuqishme dhe t’i “ulë tensionet” në vend, pas takimeve që pati me udhëheqësit e vendit të mërkurën në Prishtinë.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një të ardhmeje ku që të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e unionit tonë. Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë të ndërtojë institucione të forta, t’i ulë tensionet në vend, dhe gjithashtu t’i përfundojë hapat e nevojshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, shkroi ajo në llogarinë e vet në X.
Nuk është e qartë se çfarë tensioneve po i referohej von der Leyen në postimin e saj në X, por autoritetet kosovare janë kritikuar rishtazi nga BE-ja për mbylljen e zyrave në Mitrovicë të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Invalidore e Pensionale, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
BE-ja i kishte bërë thirrje në shtator Qeverisë në detyrë dhe institucioneve të tjera relevante të Kosovës të “përmbaheshin nga provokime të tilla dhe veprime të dëmshme si dhe të konsultohen me komunitetin lokalë serbë dhe partnerët ndërkombëtarë”.
Von der Leyen u prit në takime veç e veç nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ajo nuk mbajti konferenë për shtyp në Kosovë, për dallim nga vendet e tjera në rajon.
Ndërkohë, Osmani tha në Facebook pas takimit se me shefen e KE-së bisedoi për çështjen e zbatimit të Planit të Rritjes, masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe për integrimin evropian të vendit.
“Kënaqësi e veçantë ta mirëpres sërish sot në Republikën e Kosovës presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Së bashku diskutuam për zbatimin e Planit të Rritjes, për rëndësinë e heqjes së masave të padrejta ndaj vendit tonë, si dhe për hapat tutje në rrugën drejt integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore”, shkroi Osmani.
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm nga rajoni që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për në BE, tri vjet pasi bëri kërkesë për t’iu bashkuar bllokut evropian. m.p.
