Ky është njeriu që dikur talli lëvizjet e një gazetari me aftësi të kufizuara, ndaj do të marrim çdo grimcë kënaqësie që mundemi.
Nga Emma Brockes*
Nga përvoja ime, zakonisht është fotografia ajo që e bën dëm. Mund të jesh i sjellshëm apo i ashpër, i drejtë apo sarkastik, i saktë apo krejtësisht jashtë shenjës – por asgjë nga ato që shkruan si gazetar nuk ka aq ndikim sa fotografia që del përkrah tekstit. Ajo është përcaktuesja kryesore e mënyrës se si subjekti do të ankohet për artikullin, apo nëse do të kalojë nga pak i bezdisur në tërësisht i tërbuar.
Në këtë drejtim, Donald Trump, i cili këtë javë u vërsul ndaj revistës Time për përdorimin e një fotografie të tij në kopertinë – të cilën ai e quajti “shumë të keqe” dhe “më të keqen e të gjitha kohërave” – ka vepruar, në mënyrë të pazakontë për të, njësoj si shumica e njerëzve.
Një kënd i poshtëm, një hundë në qendër dhe shumë egërsi
Dhe, për habi, nuk ka krejtësisht faj. Kopertina e Time, e realizuar nga poshtë për t’u dhënë lexuesve një pamje të plotë brenda hundës së Trump-it, është jashtëzakonisht e pafavorshme. Qafa e tij e rrudhur ngjan si një pistë skish pas shkrirjes së borës. Syri i tij ka pamje zvarranikësh. Flokët duken si një garzë e hollë mbi kokën e një të porsalinduri.
Ose, siç e përshkroi vetë Trump në një shpërthim në platformën e tij Truth Social, në orët e para të mëngjesit të së martës: “Ata më ‘zhdukën’ flokët, dhe pastaj vendosën diçka që lundronte sipër kokës sime, që dukej si një kurorë fluturuese, por jashtëzakonisht e vogël.” (Sigurisht, nuk mund të qëndronte normal për gjatë – “kurora” ishte thjesht rrezatimi i diellit pas kokës së tij.)
Në këto kushte, për Trump-in nuk ka rëndësi që titulli në kopertinë është përkëdhelës – “Triumfi i tij” – apo që artikulli vetë është pozitiv, duke lavdëruar armëpushimin në Gaza si “marrëveshja që mund të bëhet arritja e tij më e madhe”. Ai sheh vetëm fotografinë.
Pothuaj ndjejmë keqardhje… pothuaj
Për këdo tjetër në këtë situatë, mund të ndjenim pak simpati; të gjithë jemi të ndjeshëm ndaj mënyrës si dukemi. Por është fjala për Trump-in – njeriun që dikur imitoi me tallje një gazetar me aftësi të kufizuara – ndaj do të marrim pak nga ajo ndjesi gjermane të quajtur schadenfreude (kënaqësi nga fatkeqësia e tjetrit).
Ndërkohë, pyetja që iu shtrohej redaktorëve të fotove në mbarë botën këtë javë ishte: çfarë donte të thoshte Time me këtë foto? Duhet qeshur. Redaksi rivale u hodhën në mbrojtje të profesionit, duke pretenduar se fotografia ishte menduar për ta paraqitur presidentin si një figurë madhështore, të fuqishme. Por, për këdo që ka sy në ballë, ishte qartazi një zgjedhje për ta tallur.
“Ndiqeni nëntekstin e kopertinës së Time,” sikur të thoshte ajo: “Ne mund të dukemi si servilë që tundim kapelet me titullin, por të paktën ai duket si idiot në foto.”
Arti i goditjes përmes fotografisë
Dhe, sigurisht, është një taktikë e vjetër, pasiv-agresive, tipike për tabloidët: boto një foto “vrasëse” dhe moho se ke bërë një gjë të tillë. Shprehjet e çuditshme, sytë e mbyllur, çdo lëvizje spontane që prish monotoninë e imazheve të rregulluara e bën foton më interesante vizualisht.
The Guardian nuk përdor fotografi paparaci, por nuk është pa mëkate – ndonjëherë zgjedh ndonjë imazh më pak të favorshëm. Dekada më parë, intervistova një grua të famshme në botën e argëtimit, njëkohësisht të famshme edhe për sjelljen e saj të tmerrshme – sinqerisht, do të kisha preferuar të kaloja kohë me një kriminel lufte. Në shikim të parë, fotoja dukej në rregull, por nëse e shikoje me kujdes, shihje se lëkura i ishte rrudhur nën sqetull, duke i dhënë një pamje si letër e vjetër – një detaj i vogël, por mjaftueshëm për t’i shkaktuar një krizë nervore pas botimit.
Ndryshe nga Trump, askush nuk pranon se u lëndua nga kotësia e vet – ata ankohen për titullin, për një frazë të keqinterpretuar apo për një “keqkuptim” në tekst. Por nga toni i zemërimit, gjithmonë e kupton se është fotografia ajo që e ka lënduar.
Më shpesh gratë, më rrallë burrat
Si armë, përdorimi i fotos së keqe është i pabarabartë. Kam parë të paktën një figurë të njohur mashkull të humbiste kontrollin për një foto jo të favorshme (redaktori i fotos kishte harruar t’i hiqte qimet e hundës në “photoshop”, LOL), por zakonisht janë gratë që e pësojnë më shumë.
Aktorja Olivia Colman ka folur për këtë: “Je në tapetin e kuq dhe ata përpiqen gjithmonë të të fotografojnë nën mjekër, pastaj njerëzit komentojnë dhe thonë gjëra të tmerrshme, dhe ti mendon ‘për dreq, nuk kam lindur modele, kam lindur tre fëmijë dhe trupi im është shtrirë e varur – nuk është e drejtë’.”
Ajo ka të drejtë, nuk është e drejtë. Është një goditje e ulët të përdorësh një foto për të bërë një koment që nuk do ta shprehnim kurrë me fjalë – dhe Trump, më mirë se kushdo tjetër, e kupton artin e goditjes së ulët.
Duke parë këtë javë fotografinë që ai vetë e përshkroi si “vërtet të çuditshme”, jam e prirur të them: disa njerëz e meritojnë.
*Emma Brockes është kolumniste e The Guardian/Përgatiti për botim: L.Veizi
